Qeveria i jep 10 mijë metra katror një investitori strategjik në Korçë për ndërtimin e një hoteli

Qeveria shqiptare ka vendosur që t’i kalojë 10 mijë metra katrorë një kompania private për projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”.

Bëhet fjalë për kompaninë “Investment and Development Albania”, e cila do të ndërtojë një  resort me 5 yje. Hoteli do të ketë 94 dhoma dhe do të përfshijë një sipërfaqe prej 10,000 m2.

Vendimi:

TRANSFERIMIN NË FONDIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE PËR VËNIEN NË DISPOZICION TË INVESTITORIT STRATEGJIK TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË ZONËN KADASTRALE NR.8561, BASHKIA KORÇË, PËR ZHVILLIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “GREEN HOUSE KORÇA RESORT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të nenit 27, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 3, të kreut II, të vendimit nr.1030, datë 16.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin e administrimin e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS) të pronës së paluajtshme shtetërore, në zonën kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911, të llojit “truall”, me sipërfaqe të përgjithshme 10 000 (dhjetë mijë) m2, në pronësi “shtet”, me vendndodhje Bashkia Korçë, sipas kartelës së pasurisë dhe fragmentit të hartës kadastrale që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik “Green House Korça Resort”, me subjekt investues “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C.

3. E drejta e përdorimit të pronës së përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, nga investitori strategjik “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C, detyrimet dhe kushtet e përdorimit bazohen në pikën 7, shkronja “c”, dhe 11, të vendimit nr.29/4, datë 1.2.2023, të Komitetit të Investimeve Strategjike.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA