“Ta mbyllim…”, SPAK depërtoi në grupin e arkitektëve, ja si ish-gruaja e Ahmetaj u kujdes për mobilimin e vilës Nr.73

Përmes një ekspertimi telefonik, dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai, kanë arritur të depërtojnë brenda një grupi të krijuar në aplikacionin “Whatsapp” në datën 30 korrik 2020.

Ky grup është quajtur “…Ta mbyllim…”. Dhe pjesë e listës së kontakteve ishin numrat e ish-gruas së Arben Ahmetaj, A. M. dhe tre personave të tjerë me profesion arkitektë të studios private “Qinami Konstruksion”.

Çuditërisht në këtë grup nuk është përfshirë numri personal, por as i punës i Elda Dinaj, e cila me letra rezulton të jetë pronarja e vilës nr.73 që tashmë ndodhet e sekuestruar në kompleksin “Green Coast” në Palasë.

Sipas dosjes së SPAK, grupi është krijuar nga A. M., e cila ka orientuar grupin e arktitektëve duke dhënë sugjerime të veçanta dhe me detaje, deri tek perdet dhe tapetat, për arredimin e brendshëm të vilës nr.73.

Veç pjesës së bisedave, ku dukshëm A. M. identifikohet si pronare reale e vilës, brenda grupit në “WhatsApp” pasqyrohen dhjetra fotografi të instalimit të mobileve, ndriçimit dhe pajisjeve të tjera elektronike.

Mes bisedave të deshifruara, A. M. ka rolin e protagonistes kryesore, ku kujdeset dhe sugjeron që secila nga vajzat e saj, të ketë dhomën e personalizuar në vilë.

Këto janë vetëm një pjesë e fotove të brendshme të arredimit të shtëpisë, të cilat SPAK i ka gjetur në grupin “…Ta mbyllim…” në “WhatsApp” dhe tashmë janë bërë pjesë e dosjes voluminoze me nr. 277/1.

Pasi janë realizuar punimet dhe e gjithë vila nr.73 është areduar në pjesën e brendshme, A. M., në datën 6 gusht 2020, u ka dërguar një mesazh anëtarëve të tjerë të grupit, ku shprehet e gëzuar për rezultatin e arritur.

A. shprehet:”…Ia dolëm! Sonte do të flemë tamam në shtëpi…”. I falenderon për durimin e treguar, pavarësisht se ajo ndryshonte shpesh herë mëndje, si dhe i fton të tre Blertin, Jonën dhe Mirën në vilën Nr.73 për darkë…”.

Por çuditërisht në këtë darkë festimi dhe në këtë arredim shtëpie, nuk ka marrë pjesë pronarja de jure e shtëpisë, Elda Dinaj.

Në 14 Prill 2023 arkitekti Blerti Kroi që ka qenë pjesë e këtij grupi, ka deklaruar se:“…grupet zakonisht i krijojnë në momentin që bëjnë një punë me porositësin dhe me grupet që marrin pjesë në ndjekjen e punimeve për koordinim mes grupit të punës.

Nuk e mban mend saktësisht krijim e këtij grupi, por duke qenë se puna është me shumë detaje, zakonisht i kategorizojnë proceset. Ky grup pune ka qenë hapur për Vilën në Palasë, në “Green Coast”.

A. është pjesë e këtij grupi për shkak se ajo ka qenë porositja e shërbimit, ndërsa Mira Idrizi ka qenë arkitektja që ka ndjekur punimet. Produktet në lidhje me ndriçuesit nuk e mban mend fiks se ku janë blerë te “Alba elektrica” ose te “Teoreni (Eglo)”. Pra në këtë grup është bërë më se shumti menaxhimi i punës për përzgjedhjen e ndriçuesve të vilës në “Green Coast”.

Në lidhje me shtetasen Elda Dinaj, Blerti Kroi, deklaron se e ka dëgjuar si emër në një ditëlindje që ka bërë A., por vetë nuk e njeh dhe se A. nuk i ka kërkuar që Elda të ishte pjesë e këtij grupi komunikimi për shkak se A. ishte porositja për ndjekjen e punimeve.