Manastirliu: Realizohen për herë të parë 21 ndërhyrje të infarkteve akute të miokardit në spitalin e Shkodrës
Në kabinetin e Hemodinamikës në Spitalin Rajonal Shkodër për herë të parë ka nisur t’i jepet zgjidhje edhe infarkteve akute të miokardit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot se “zgjerimi i stafit me mjekë të rinj dhe investimet në aparatura bashkëkohore në kabinetin e Hemodinamikës në Spitalin Rajonal Shkodër kanë mundësuar jo vetëm procedurat e planifikuara të koronorografisë, por për herë të parë ka nisur t’i jepet zgjidhje edhe infarkteve akute të miokardit”.
“Deri tani janë kryer plotësisht me sukses 21 rastet e para, të cilat më parë dërgoheshin në Tiranë”, theksoi Manastriliu.
Ministrja Manastirliu u shpreh se “dr. Gledis Zaimi është mjeku i ri kardiolog që i është bashkuar Njësisë së Hemodinamikës në Spitalin e Shkodrës, ku i gjithë stafi ka mundësuar jo vetëm rritje të numrit të procedurave, por edhe zgjerim të gamës së interventeve kardiake me metoda të avancuara”.
Manastirliu përgëzoi mjekët kardiologë dr. Enkelejd Lohja, dr. Edi Smajlaj, dr. Gledis Zaimi dhe infermierët Ermal Dibra e Afrim Bashi.
Banorët e të gjithë veriut të vendit tashmë po marrin shërbimin në kabinetin e Hemodinamikës në Shkodër, pa pasur nevojë të vijnë në Tiranë.
