Sulmet kibernentike, Ekonomi: Rikthyem më shpejt se të gjithë në funksionim platformën e-Albania

Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi deklaroi sot se, sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, të nisura një vit më parë u menaxhuan nga stafi i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe se, vendi ynë ishte i pari në rajon që riktheu menjëherë në funksion e-Albanian.

Gjatë shqyrtimit të marrëveshjes me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për “Përmirësimin e aksesit të barabartë në shërbimet publike të standardit të lartë nëpërmjet operacionit Govtech”, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, Ekonomi theksoi se, sulmet ishin jashtë rutinës, ndaj dhe u morën edhe masa diplomatike.

“Shqipëria menjëherë mori masa për t’u mbrojtur nga sulmi kibernetik. Janë thirrur grupet e menaxhimit të riskut nga ‘Microsoft’. Nga këto grupe u pa nga erdhi sulmi. AKSHI sulmohet çdo ditë, por përmes algoritmeve që ngre, ka rritur muret mbrojtëse të sistemit. Sulmi ishte jashtë rutinës dhe ndaj ne morëm masa diplomatike për ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin”, sqaroi ajo.

Sipas Ekonomit, nga analiza e bërë rezultoi se’ stafi i AKSHI-t ishte i aftë për të menaxhuar këtë krizë.

“E mira që duhet ndarë është fakti se u sulmuan plot vende të rajonit, por ne ishim vendi që e vendosëm më shpejt nga të gjithë në funksionim platformën e-Albania”, deklaroi Ekonomi.

Korrikun e kaluar Shqipëria u vu nën një sulm të paprovokuar kibernetik, me synim për të paralizuar shërbimin elektronik për të vjedhur të dhënat nga sistemi i komunikimeve qytetare.

Një hetim i thellë dhe i gjatë i kryer nga ekspertiza më e mirë botërore ndaj sulmeve kibernetike ka konfirmuar se, sulmi kibernetik u orkestrua nga Republika Islamike e Iranit. Në muajin shtator autoritetet njoftuan se sërish sistemet u vunë nën sulm kibernetik.