“Vetëm të bashkuar mund t’ia dalim dhe kjo është mundësia jonë e vetme”

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho u shpreh i lumtur për fitoren ndaj Moldavisë dhe e pranoi që përpara kësaj sfide kishte shumë emocione:

"Siguisht që kjo është mënyra më e mirë për të debutuar përpara tifozëve tanë. Skuadra dha maksimumin dhe djemtë m’u përgjigjën në mënyrën më të mirë të mundshme.

5 orë përpara ndeshjes më thanë që stadiumi do të ishte i mbushur me kapacitet maksimal dhe sigurisht që ky fakt m’i shtoi emocionet. Për t’ia dalë mbanë deri në fund duhet të luajmë të bashkuar si një skuadër.

Ne jemi një dhe kështu duhet ta shikojmë sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’ia dalim mbanë. Përsa i përket ndeshjes në Ishjut Faroe do të vendos gjatë dy ditëve të ardhshme sepse kemi një udhëtim i gjatë e të lodhshëm dhe do të jetë shumë e vështirë sepse do të ndeshemi me një skuadër fizike".

Sokol Cikalleshi:

“Duke qenë se Moldavia luante me 5 nuk linte hapësira pas shpine dhe nga analizat e bëra, 3 qendërmbrojtësit nuk sulmonin sulmuesin. Ishte iniciativë e trajnerit por edhe mua më pëlqen të luaj mes linjave. Në fundin e pjesës së parë kërkova të jem më lart dhe më statik për t’u bërë ndihmë për shokët por me golin gjërat u bënë të thjeshta dhe duhej vetëm menaxhim i rezultatit. Mendoj se bëmë ndeshje relativisht të mirë ndaj një kundërshtari më të dobët se ne por kemi hasur vështirësi me ekipe që na mbyllen. Pamë Kombëtare me shpirt gare dhe me rritje nga viti i kaluar. Kemi 6 finale”.

Etrit Berisha:

“Për mua ka qenë emocionuese, pas një periudhe të vështirë. Ndeshja më emocionuese, falenderoj trajnerin dhe lojtarëve që sot kemi bërë një ndeshje të bukur. E mbaj mend shumë mirë ndeshjen e parë kundër Iranit, kur e kam parë Altin Lalën që më ka komplimentuar, jam ndjerë shumë mirë, e kam pasur idhull”.

Nedim Bajrami:

“Jam shumë i lumtur që shënova golin e parë dhe e ndihmova skuadrën, por rëndësi kanë 3 pikët. I ndërruam rolet në fushë, kalova sulmues, gjeta hapësira dhe në fund doli mirë dhe në fund morëm 3 pikë. Ky gol ishte për të gjithë tifozët kuqezinj”.

Elseid Hysaj:

“Ishte fitore shume e mire, nëse nuk fitonim do qe shumë e vështirë. Na ka bërë mirë kjo fitore, në Ishujt Faroe, do të shkojmë 100 % të përqendruar për të marrë maksimumin. Në krahun e djathtë jam më i qetë, jam më natyral. Kjo është një nga ndeshjet më të mira, kemi pasur një sezon të kaluar të vështirë, me këtë ndeshje shpresojmë për një sezon të ri pozitiv”.