Boom boom Partizani, Grezdën e ndan vetëm firma

Lajmi ishte në ajër dhe tashmë mungon vetëm firma por Grezda është lojtar i Partizanit. Klubi kampion afron ish-sulmuesin e Kombëtares, disa skuadrave në Kroaci dhe Rangers në Skoci, Eros Grezda.

E pranoi vetë drejtori sportiv, Arbër Abilaliaj që palët ishin në bisedime ndërsa tashmë kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kampionët forcohen ndjeshëm në repartin e avancuar pasi dëshirojnë të kalojnë sa më shumë ture në Europë.

Gjatë orëve të ardhshme me mbërritjen e sulmuesit në vendin tonë do të hidhet edhe firma në kontratë që parashikon aktivizimin e Grezdës edhe në sezonin e ardhshëm të Kategorisë Superiore.

Shorti i fazës së parë të UEFA Champions League do të hidhet në datën 20 qershor në Nyon të Zvicrës. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, të kuqtë njoftuan mbylljen e bashkëpunimit me lojtarin Jozef Menich. Mbrojtësi Sllovak dhe klubi kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim kontratën mes tyre.