Historia e Ansi Agollit/ Ish-kapiteni i Kombëtares prezanton dokumentarin e karrierës së tij

Në një ceremoni emocionuese, u prezantua dokumentari që tregon karrierën futbollistike të ish-kapitenit të Kombëtares shqiptare Ansi Agolli.

Kjo është historia e Ansi Agollit.

Në ambientet e stadiumit ‘Air Albania’ u zhvillua ceremonia e premierës së dokumentarit ‘Historia ime’, që i kushtohet ish-kapitenit të Kombëtares, Ansi Agolli.

Një karrierë e mbushur me shumë suksese, e nisur te Tirana e për të vazhduar në Finlandë e Azerbajxhan, ku Agolli tashmë është edhe një idhull për tifozët e Karabagut, dhe për t’u mbyllur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Momentet kulmore të rrugëtimit të tij me Kombëtaren në Europianin e vitit 2016 dhe grupet e Champions League me skuadrën azere, ishin pjesë kryesore e dokumentarit.

I gjithë dokumentari që flet për rrugëtimin e 40-vjeçarit  shoqërohet edhe me intervistat e kolegëve dhe miqve të tij, me të cilët kishte lidhje më të ngushta.

Gjatë fjalimit, Agolli nuk i fshehu emocionet.

"Dua tju falenderoj të gjtihëve ju që keni vendosur një gur në formimin tim si futbollist por dhe si njeri. Dua të falenderoj të gjtihë trajnerët e mi për përkushtimin, pasionin me të cilin kam punuar. Falenderoj familjen time për mbështetjen e dhënë. Një falenderim i veçantë për federatën shqiptare të futbollit për suportin e dhënë në organizimin e këtij eventi por he në gjithçka që ka bërë për mua si futbollist i kombëtares ndër vite," tha ai.

Ndërkohë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka vlerësoi punën e jashtëzakonshme të mbrojtësit.

"E kam simpatizuar dhe pëlqyer gjithmonë për atë që ka qënë por dhe jashtë fushe. E kam thënë dhe herë të tjera, Ansi ka çdo karakteristikë të mirë që mund të ketë një njeri. Mund të jetë shembulli perfekt për tu ndjekur nga rinia shqiptare, se si mund të edukohesh nëpërmjet futbollit. Është bërë me punën e vet, me sjellje e vet, me përkushtimin e tij në lojën e futbollit," tha ai.

Ansi Agolli mbajti veshur fanellën kuqezi të Kombëtares në 73 ndeshje, duke arritur të shënojë edhe 3 gola.