Berlusconi, njeriu që e bëri Milanin një markë ndërkombëtare
Vdekja e Silvio Berlusconit nuk ka tronditur vetëm politikën por edhe sportin italian. Pas një beteje të shkurtër me leuceminë, ish-presidenti i Milanit dhe njeriu që e bëri klubin kuqezi markën më të suksesshme në rang planetar, mbylli sytë për herë të fundit në Milano në moshën 86-vjeçare.
E mori Milanin në mesin e viteve 80 duke e shpëtuar nga falimentimi duke e bërë një skuadër shumë të suksesshme në Itali dhe Europë, ndërsa gjatë dy viteve të fundit Berlusconi kishte në pronësi klubin e Monzas.
Në 20 mars 1986 ai bleu aksionet e kuqezinjve dhe me të si president kuqezinjtë fituan 8 tituj Serie A, 1 Kupë Italie, 7 Superkupa, 5 Champions League, 2 Kupa Interkontinentale, 5 Superkupa të Europës dhe një Botëror Klubesh.
Në total gjatë 29 viteve të presidencës së tij, Milani fitoi plot 31 trofe duke mbajtur për disa vite edhe vendin e parë në rang botëror si skuadra më e titulluar.
