E rëndë në Gramsh, konflikt me thika mes adoleshentëve, vdes 15-vjeçari
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Gramshit.
Mësohet se pas një konflikti mes adoleshentësh ka mbetur i vdekur një 15-vjeçar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë shkollës 9-vjeçare Asllan Shahini’, ku pas sherrit ka humbur jetën një i riu në klasën e nëntë.
"Rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve.
Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre." - njofton policia.
Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.

