"Beci, suksesi më i madh i Berishës", Luzi: Ndër të paktët që premtoi program, u pa si individi që do sillte zhvillim për Shkodrën
Ish-kryetarja e KQZ dhe specialistja Lefteri Luzi e ftuar në "Drejt" në RTV Ora deklaroi se fitorja e Benet Becit në Shkodër erdhi pasi ai ishte ndër të paktët që u prezantoi një program qytetarëve dhe ata panë një individ që mund ti sillte zhvillim qytetit.
"Ndoshta ishte ndër të vetmit kandidatë që i ofroi Shkodrës shumë projekte. Në këtë drejtim të shpresojmë që ti mbajë pasi Shkodra prej kohësh nuk ka një ecuri dhe zhvillim në aspektin vendor. Mendoj se ata e panë si një individ që do të sillte këto qasje e ndryshime për Shkodrën. Duhet opasur parasysh se ka qënë kandidat i të djathtës dhe ka kaluar në të majtën herët," tha ajo.
Ndërkohë Arban Bala u shpreh se Beci ishte në fakt një ndër sukseset më të mëdha të qeverisë Berisha.
"Po flasim për një njeri me shumë kapacitet e që ka drejtuar një prej programeve më të rëndësishme të qeverivë "Berisha" rrugët rurale. Mbetet një prej sukseseve më të mëdha të z.Berisha, të vizionit të tij të zhvillimit të vendit sa i takon zhvillimit të rrugëve. Në këtë aspekt themi se Benet Beci ishte bindës në një kuptim. Gjithashtu në Shkodër nuk kishin mundësi socialistët të bënin presion si në qytetet e tjera. Duhet të jemi të ndershëm deri në fund, shqiptarët në përgjithësi nuk votojnë pro, votojnë kundër dikujt. Në këtë pikëpamje ata i kanë dhënë përgjigje mënyrës se si janë ndjerë të trajtuar për vite e vite me rradhë dhe besnikërisë së tyre që nuk u shpërblye," tha ai.
