Zgjedhjet/ Celibashi bën bilancin e situatës së procesit të numërimit të votave: Fredi Beleri rezulton fitues
Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve Fredi Beleri do të rezultojë fitues i zgjedhjeve në Himarë edhe pse ndodhet në burg.
Ilirian Celibashi shprehet se në këtë fazë është KZAZ që certifikon rezultatin, megjithatë ai në daljen për gazetarët nguroi të shprehej qartë nëse do tia jepte mandatin garuesit të koalicionit bashkë fitojmë në Himarë.
"Ai është kandidat fitues. Nëse nuk do ketë kontestime dhe do konfirmohet ky rezultat i shpallur tani ai do të konsiderohet si i zgjedhur. Çështja e tij juridiko-penale është një çështje që nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor," tha ai.
Në daljen e parë përballë gazetarëve këtë të hënë Celibashi i dha përgjigje edhe akuzave të Berishës
"Kam bërë jo më të mirën e mundhse, por atë që duhet të bëhej. Kjo mjafton që njeriu të ndihet krenar. Ndonjëherë rezultatet nuk janë ato që ti pret por është shumë e rëndëishme se si ti qëndron në raport me punën," tha ai.
Në lidhje me përfundimin e procesit të votimit, kryekomisioneri sqaroi se në to morën pjesë vetëm 37 për qind e zgjedhësve.
Ndërkohë Celibashi theksoi se në 44 bashki ka përfunduar procesi i numërimit të votave për kryetar, përkatësisht në: Vlorë, Korçë, Berat, Maliq, Lushnje, Sarandë, Kuçovë, Vau Dejës, Cërrik, Patos, Devoll, Librazhd, Rrogozhinë, Dimal, Finiq, Peqin, Bulqizë, Mirditë, Selenicë, Gramsh, Belsh, Roskovec, Himarë, Përrenjas, Tropojë, Dropull, Has, Përmet, Memaliaj, Klos, Kolonjë, Delvinë, Skrapar, Poliçan, Tepelenë, Pukë, Konispol, Këlcyrë, Fushë Arrëz, Pustec, Libohovë, Kamëz, Elbasan, Vorë.
A do të merrni vendim për të sjellë kutit të votimit në Tiranë për të mos lejuar zvarritje?
Celibashi: Po ndjekim situatën në Kurbin hap pas hapi dhe është shumë herët për të folur për llojet e vendimmarrjeve. Nga pikëpamja e rendit është një proces i qetë. Informacione të tjera në nuk kemi.
Deklaratat nga selitë e partive, për manipulim të procesit zgjedhor, si do të funksionojë procesi i ankimimeve?
Celibashi: Shpresojmë të përfundojë procesi i numërimit sot dhe të bëhet tabulimi i rezultateve dhe nga nesër çdo subjekt zgjedhor që ka pretendime lidhur me procesin zgjedhor ka të drejtën të paraqesë ankim.
Celibashi: Në Kavajë nuk rezulton që të jetë ndërprerë proces, por vetëm në Kurbin për shkak të tensioneve dhe vetën në 2 KZAZ në Durrës për shkak të lodhjes së komisionerëve.


