Tirana në finalen e Kupës së Shqipërisë, pak emocione në Durrës

Me gazin në maksimum për të shkuar deri në fund për të dy trofetë. Tirana e Orges Shehit kërkon që t'i bëjë bashkë titullin dhe Kupën e Shqipërisë ku preu biletën e finale pasi mbrojti në Durrës fitoren 3-0 të ndeshjes së parë në Elbasan.

Me mendjen te derbi i 17 majit por edhe e kujdesshme për të mos lëshuar terren e për t'i dhënë shpresa Teutës, skuadra bardheblu bëri një ndeshje të studiuar në "Niko Dovana".

Asnjë gol i shënuar nga të dyja skuadrat por edhe pak energji të harxhuara nga kampionët me mendjen te sfida me Partizanin ku kanë mundësinë të sigurojnë një tjetër "finale" pasi momentalisht 4 javë nga fundi ndodhen në vendin e parë me 2 pikë më shumë por me shumë mungesa të rëndësishme për sfidën me skuadrën e Colella-s.

Ndërkohë, finalen e Kupës, Tirana do ta luajë në datën 1 qershor në "Air Albania" stadium kundër Egnatias. Nëse fiton në finale, Tirana do të hipotekonte Kupën nr. 17 të historisë ndërsa rrogozhinasit janë për herë të parë në një finale.