Shqipëria largohet nga takimi i Rusisë për të drejtat e fëmijëve: Kundërshtuam provokimin cinik
Teksa Rusia ka organizuar një takim në Këshillin e Sigurimit për të drejtat e fëmijëve, Shqipëria, SHBA dhe Britania e Madhe kanë vendosur të mos marrin pjesë në këtë seancë. 46 shtete e kanë quajtur këtë mbledhje si provokim nga Moska, në kushtet kur Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka ngritur akuza ndaj Putinit për rrëmbimin e fëmijëve në Ukrainë.
Shqipëria i është bashkuar SHBA dhe Britania e Madhe duke bojkotuar mbledhjen jo zyrtare në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuar, të organizuar nga Rusia për fëmijët ukrainas të deportuar me force nga shtëpitë e tyre.
Ndërsa komisionerja ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova, foli përmes një lidhje ‘skype’ duke mohuar akuzat e bëra ndaj Rusisë për krime lufte.
Lvova-Belova argumentoi se Moska është e gatshme të bashkëpunojë për ribashkimin e fëmijëve ukrainas me familjet e tyre. “Nuk kemi dyshime se kjo është një fushatë për të diskredituar vendin tonë”, tha ajo.
Por këtë mbledhje, ambasada shqiptare në OKB, e jo vetëm e argumenton si një provokim në kushtet kur Gjykata Ndërkombëtare Penale ka ngritur akuza penale ndaj rusëve për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.
Kundër seancës së zhvilluar nga Rusia që mori presidencën e Këshillit të Sigurimit në 1 prill të këtij viti, kanë firmosur 46 vende anëtare të OKB-së ku thuhet se Federata Ruse po abuzon me kompetencat dhe privilegjet e anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit me qëllim për të hapur informacione jo të sakta sa i takon rrëmbimit të fëmijëve.
Hera e fundit që Rusia e mbajti presidencën e OKB ishte në shkurt të vitit të kaluar, kur Putin deklaroi "operacionin e tij special ushtarak" për Ukrainën.
Ndërsa më 17 mars, të këtij viti Gjykata Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë lëshoi një urdhër arresti për udhëheqësin rus për rolin e tij në rrëmbimin dhe dërgimin e paligjshëm të mijëra fëmijëve ukrainas në Rusi.
