Krujë, 7 tendera për asfalt votash, Artur Bushi jep 846 mijë euro për rrugë në kohë fushate

Tenderët për arnime rrugësh në fushatë zgjedhore nuk ndalen në Bashkinë e Kujës. Kjo pasi institucioni që drejtohet nga Artur Bushi në 10 ditët e fundit ka mbyllur 7 prokurime me vlerë 846 mijë euro që kanë për qëllim asfaltime rrugësh. Përpos kësaj, 2 procedura janë dhënë në mungesë të konkurrencës dhe 2 të tjera duke skualifikuar ofertat më të mira. 

Bashkia e Krujës mesa duket po konkuron bashkinë e Tiranës për numrin e tenderave të bërë për asfaltime rrugësh në periudhë fushate zgjedhore.

Që nga data 28 mars e deri në 5 prill, institucioni që drejtohet nga Artur Bushi ka mbyllur edhe 7 prokurime të tjera që kanë si objekt arnime rrugësh me vlerë totale 846 mijë euro.

Përpos kësaj, 4 prej tyre janë dhënë duke skualifikuar ofertat më të arsyeshme dhe në mungesë të konkurrencës. Konkretisht, për asfaltimin e rrugëve “Lama” dhe “Jangozi” në njësinë administrative Thumanë, ka marrë pjesë vetëm subjekti “K.Turja”.

Duke mos pasur konkurrent tjetër në garë është shpallur automatikisht fitues me ofertën sa 90% të vlerës së tenderit. Në mungesë të konkurrencës është dhënë edhe procedura tjetër që ka si objekt blerje dhe shpërndarje çakulli në rrugët rurale të kësaj bashkie, ndërsa fitues është subjekti “KEGLI-DURI”.

Subjekti në fjalë është shpallur fitues nga Bashkia Krujë edhe në tenderin për asfaltimin e rrugës së mbikalimit hekurudhor Hsanaj.

Në këtë prokurim është skualifikuar subjekti “Progres Shkodra” që kishte ofertën më të mirë, me arsyetimin se nuk ka dorëzuar vetdeklarimin në mënyrë korrekte.

Gjihasthu për asfaltimin e rrugës “Kasme” në Krujë, nga 4 kompani që ishin interesuar për tenderin, subjekti “Progres Shkodra” që kishte kërkuar më pak për të realizuar punën u skualifikua nga gara dhe fitues është shpallur ‘’S.M.O.UNION’’.

Në shumicën nga tenderat, punimet kërkohen të përfundojnë para zgjedhjeve vendore.

Krujë, 7 tendera për asfalt votash, Artur Bushi jep 846 mijë euro