Dikush i vuri flakën, flet babai i pronarit të makinës: Nuk kemi konflikte, jetojmë këtu prej 35 vitesh

Një makinë tip Benz në pronësi të Klodian Cacani është djegur në Korçë në orët e para të së enjtes.
Makina është djegur gjatë kohës që ishte në parking. Pronari i mjetit Klodian Cacani Nuk njihet si person me precedentë penalë, ndërsa i gjithë moment i djegies është filmuar nga kamerat e sigurisë, por autori ende nuk është identifikuar.

Ky është moment kur një person i Paidentifikuar hedh benzinë në një makinë në Korçë.

Ora shënon 1:10 pas mesnate ndërsa, pas hedhjes së lëndës djegëse, personi ndez një çakmak, dhe makina merr flakë.

Siç mund të shihet edhe nga pamja vetë autori dëmtohet gjatë djegies, ndërsa makina e parkuara i përket Klodian Cacani.

Babai i Cacanit në një prononcim për mediat tha se vetëm dëgjuan shpërthimin. Ai tha se familja e tij nuk ka asnjë konflikt me asnjë person tjetër.

“Ishim duke fjetur, rreth orës 1:10 u dëgjua një shpërthim i vogël. Dola dhe pashë makinën që po digjej. Thërrita zjarrfikësen, u përpoqëm ta fiknim dhe vet. Nuk jam i trembur për jetën se nuk i kam bërë keq asnjërit, jetoj prej 35 vitesh këtu, nuk dyshoj tek askush, nuk kemi konflikte me askënd.

Jam njeri i punës, djali është njeri i punës, nuk merremi as me kontrabandë, as me gjëra të tjera, në dyqanin tonë ka ngrënë bukë kjo lagje. Kjo me siguri vjen nga zilia, unë kam pasur dy makina, pse s’ia vuri më parë, tani që u bënë 7-8 e vendosën."

Deri më tani autori nuk është identifikuar dhe nuk është paraqitur për ndihmë në asnjë spital të juglindjes, ndërsa policia po vijon hetimet për të zbuluar sa më shumë për këtë rast.