Bulqizë/ Po ktheheshin nga miniera ku mblidhnin krom, bie në humnerë furgoni me nxënës

Po ktheheshin nga zona e minierës ku mbledhin krom për të fituar disa para më shumë.

5 nxënës mbetën të plagosur në Bulqizë, pasi furgoni me të cilin udhëtonin doli nga rruga e galerive në zonën D.

Siç tregojnë pamjet, mjeti përfundoi disa dhjetra metra poshtë në greminë, pranë vendit të quajtur Antenat.

5 nxënës dhe shoferi i furgonit pësuan dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit, për të cilat kërkuan trajtim mjekësor në spitalin lokal.

Një prej fëmijëve në gjendje më të rëndë u soll në Spitalin e Traumës në kryeqytet për ekzaminime më të specializuara.

Shkak për asksidentin dyshohet se u bë humbja e kontrollit të mjetit nga drejtuesi në rrugën e amortizuar që të çon drejt galerive të kromit në Bulqizë.

Por Policia tha se ende nuk ka dalë në një përfundim për rrethanat e ngjarjes që rrezikoi të prodhojë tragjedi.

Njoftimi i policisë për ngjarjen

Rreth orës 15:20, në aksin rrugor rural që lidh qytetin e Bulqizës me zonën e antenave, shtetasi Xh. S., duke drejtuar automjetin (furgon), ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka dalë nga rruga.

Për pasojë, kanë mbetur të dëmtuar, jashtë rrezikut për jetën, drejtuesi i automjetit, shtetasi Xh. S., si dhe shtetasit E. P., A. C., Xh. P., E. D. dhe B. V. (pasagjerë në këtë furgon).

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.