Shqipëria firmos memorandum mirëkuptimi për sigurinë kibernetike me Emiratet e Bashkuara

Shqipëria dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë kibernetike.

Kryeministri Rama e cilësoi me një rëndësi të veçantë strategjike për vendin tonë edhe për hapësirën ku sot zhvillohen betejat.

Rama: Kjo është një marrëveshje strategjike e vendit tonë, sepse ka të bëjë me integritetin e vendit. Sot është lloji i ri i kërcënimit, jo duke treguar tanket apo avionët që shkelin integritetin territorial, por duke sulmuar hapësirën kibernetike duke paralizuar shërbimet.

Kreu i qeverisë shqiptare falenderoi si për bashkëpunimin e ofruar më parë, por edhe mbështetjen aktuale.

Rama: Emiratet e Bashkuara është një vend që ka qenë i pranishëm kur ne e kemi pasur më të nevojshme për të mos u ndjerë të vetëm. Duke e nisur me eksodin e madh masiv të shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë kur presidenti aktual i Emirateve të Bashkuara, i shoqëruar nga një grup i madh njerëzish për të sjellë ndihmë e lehtësim dhe kur u hap rruga për uljen e avionëve në Kukës për të ndihmuar ata që ishin shumë në nevojë

Miqësinë e kemi ndjerë dhe më duhet të them që vitet e fundit kanë shënjuar zhvillime tejet pozitive. Si dëshmitar i vullnetit të plotë të Emirateve të Bashkuara Arabe për t’u bërë pjesë e një rrugëtimi të gjatë por edhe për të bërë gjithçka për procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës si dhe për t’u siguruar që të gjitha vendet bashkë të marrin gjithmonë e më tepër së bashku në të ardhmen dhe të jenë më pak të lidhur me të shkuarën. Nuk është motivim i mirë nëse nuk shohim arsye për të vrapuar drejt së ardhmes.

Ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sh.T.Z. Sheikh Abdullah Bin Zayed Al Nahyan vlerësoi zhvillimet në vend.

“Ju jeni një komb me shumë fat, ia keni dalë të përballoni shumë sfida në një kohë mjaft të shkurtër. Ka shumë gjëra të mira që po ndodhin por ka edhe gjëra më të mira që mund të bëjmë.”

Ministri i Jashtëm arab u shpreh optimist edhe për përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shohim procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë diçka shume kurajoze dhe do punojme me ju qe normalizimi i marrëdhënieve të jetë i suksesshëm.”

Kjo marrëveshje për sigurinë kibernetike mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara vjen pas një sërë sulmesh kibernetike nga Irani, gjatë korrikut dhe shtatorit të vitit 2022.