Izraeli: Raketat nga Libani i hodhi Hamasi
Një përfaqësues i ushtrisë izraelite fajësoi organizatën islamike palestineze Hamas për sulmet e sotme me raketa nga Libani . Zëdhënësi tha gjithashtu se Izraeli e konsideron qeverinë libaneze përgjegjëse për raketat e lëshuara nga territori i tij.
“Pala që hodhi raketat nga Libani është Hamasi”, shkroi Avishai Andraee në një mesazh në Twitter.
Më herët sot, një zyrtar i Mbrojtjes tha se ushtria izraelite ishte ende duke vlerësuar situatën pasi raketat u hodhën në territorin e saj nga Libani, por po punonte mbi supozimin se fraksionet palestineze ishin pas sulmeve.
Ushtria tha në një deklaratë se 34 raketa u hodhën këtë pasdite nga Libani drejt Izraelit, nga të cilat 25 u kapën nga mbrojtja ajrore dhe të paktën pesë ranë në territorin izraelit. Vendi ku ranë raketat është "nën hetim", shton ushtria, duke sqaruar thjesht se këto "statistika nuk janë përfundimtare".
Ndërkohë, tre burime sigurie në Bejrut i thanë Reuters se fraksionet palestineze me bazë në Liban, jo grupi militant Hezbollah i mbështetur nga Irani, qëndronin pas sulmeve të sotme me raketa.
Grupi i fuqishëm i armatosur Hezbollah kontrollon sigurinë në Libanin jugor, ku ka disa kampe refugjatësh palestinezë dhe grupe të armatosura.