Më shumë barna të rimbursueshme, Manastirliu: Indeksojmë çmimet, rritet numri i qytetarëve që përfitojnë
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se do të rritet numri i personave që përfitojnë nga skema e barnave të rimbursueshme. Me indeksimin e çmimit të tyre zgjerohet mbulimi me barna si dhe diagnozat e mjekimit.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri të ditur të mërkurën se edhe këtë vit do të ketë indeksim të çmimit të barnave të rimbursueshme.
Kjo do të thotë më shumë mbulim me barna, zgjerim të diagnozës së mjekimit si dhe rritje të numrit të qytetarëve që përfitojnë nga skema e rimbursimit.
"Është një praktikë e përvitshme që siguron një benefit, kursim të buxhetit të alokuar për barnat në listën e rimburimit në vlerën 3.6 mln dollarë që do të shfrytëzohen për të mbështetur më shumë persopnat e diagnostikuar me sëmundje kronike," tha ajo.
Teksa komunikoi vendimin Manastirliu bëri me dije sa nga rimbursimi i fishave të diabetit kanë përfituar mbi 35 mijë persona.
"Duke e bërë më gjithëpërfshirëse skemën e rimbursimit, duke përfshirë dhe pajisjet mjekësore si fishat e diabetit e duke synuar një trajtim më të mirë të sëmundjeve kronike," tha ajo.
Nga lista e barnave të rimbursueshme përfitojnë më shumë se 410 mijë qytetarë. Lista përmban rreth 1191 alternativa mjekimi për pacientët që trajtohen në shërbimin ambulator.