Selimi në Hagë: S’kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë

"S’kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi frikë të gjithë".

Kështu e nisi  ish-drejtuesi i UÇK-së, Rexhep Selimi, mbrojtjen në Gjykatën e Hagës për akuzat e krimeve të luftës, ndërsa shprehu bindjen se në fund të procesit do të shpallet i pafajshëm.

"Pavarësisht kësaj unë sot përballë para jush, me besimin e plotë se në fund të këtij procesi, ju do të vendosni në favor të pafajësisë sime. Siç u tha më herët këtu, më duhet të theksoj e të them se dallimet dhe opinionet politike mes nesh, sidomos në kohë specifike me ndikime të thella politike, nuk duhet dhe nuk mund të përdorën si fakte juridike kundër askujt e po ashtu kundër ne të bashkakuzuarve. Në këto qaste kur ne po flasim e po na shohin bashkëkombësit tanë, kam besimin që të gjithë së bashku do ta nxjerrim të vërtetën dhe unë bashkë me bashkëluftëtarët e mi do të kthehemi në vendin tonë të lirë, për të cilin luftuam dhe punuam gjatë gjithë jetës sonë".

Avokati mbrojtës duke iu referuar fjalimit të Selimit tha se është “e kuptueshme pse ai dhe të tjerët e ndiejnë njëfarë detyrimi për të mbrojtur trashëgiminë e UÇK-së, kur kjo e fundit ishte qartazi në sulmin e kësaj prokurorie”.

Më tej Geoffrey Roberts,  theksoi në gjykatë se Prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës që vendosin të nisnin luftë për liri.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson, theksoi në mbrojtjen e tij përballë akuzave se se klienti i tij dhe as UÇK-ja nuk i kanë shënjestruar mbështetësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shtoi se ndaj Veselit nuk ka prova për krimet e pretenduara.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Seanca pritet të vijojë të mërkurën më 5 prill me deklarimet mbrojtjes së Jakup Krasniqit, i cili këtë të martë u pa duke fshirë  lotët ndërsa dëgjonte akuzat për bashkëluftëtarët.

Të katër janë vetëdeklaruar të pafajshëm.