Maqedonia nis punimet për Korridorin 8

Në Maqedoninë e Veriut sot është shënuar fillimi i ndërtimit të akseve rrugore të Korridorit 8 në pjesën perëndimore të vendit, që do të lidhet më pas me autostradë me Shqipërinë.

Projekti i Korridorit 8 parashikon ndërtimin e autostradës Tetovë - Gostivar; Gostivar - Bukojçan; Trebenishte – Strugë – vendkalimi Qafë Thanë.

Sipas kontratës së nënshkruar muajin e kaluar, konsorciumi turko-amerikan "Bechtel & Enka" do të ndërtojë edhe seksionin e Korridorit 10-D, krahas seksioneve të Korridorit 8.

Në ceremoninë për të shënuar fillimin e ndërtimit, të mbajtur në afërsi të Tetovës, mori pjesë një ekip më i gjerë qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski; kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi; ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Angela P. Aggeler, si edhe përfaqësues zyrtarë nga Shqipëria dhe Bullgaria.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në fjalën e tij theksoi përfitimet e ndërtimit të Korridorit 8, jo vetëm për vendin, por edhe për Shqipërinë dhe Bullgarinë, duke shtuar se Maqedonia e Veriut për herë të parë lidhet me perëndimin dhe lindjen, përveç lidhjes së mëparshme veri-jug.

"Korridori 8 dhe Korridori 10-D janë projekti më i madh infrastrukturor në vendin tonë deri më tani në sektorin rrugor. Vlera e kontratës për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10-D është 1,3 miliardë euro. Do të ndërtohen katër seksione të autostradave me gjatësi totale rreth 110 kilometra. Një gjë e këtillë nuk është bërë kurrë në historinë e vendit tonë", tha Kovaçevski.

Ai shtoi se me ndërtimin e autostradave, Maqedonia e Veriut do të lidhet me dy porte të tjera: Portin e Durrësit në Shqipëri dhe portin e Burgasit në Bullgari.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela P. Aggeler, tha se ky është më shumë se një investim i zakonshëm në rrugët e vendit, duke theksuar se bëhet fjalë për investim për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha vendeve të lidhura me Korridorin 8./AA