Piqué i ashpër me Shakira-n: Fansat e saj na kanë kërcënuar me vdekje, e turpshme

Gerard Piqué rikthehet të flasë për Shakiran. Në një intervistë online me gazetarin Gerard Romero, ai vë në dukje frustrimin e tij në lidhje me këngën e publikuar nga kolumbiania ku sulmohet ashpër ish-mbrojtësi i Barcelonës. Duke lënë të kuptohet se gjithë situata ka rënduar mbi të fejuarën e tij Clara Chia Marti, ai thekson:

“Po po, gjithçka shumë bukur, me gjithë fjalët që janë thënë, akuzat dhe e gjithë bota që të duartroket që të thotë se je numri 1, etj etj. Por askush nuk mendon për personin tjetër, ai që merr në këmbim shumë përçmim dhe kjo është e dëmshme për gjendjen e tij mendore. Duhet të ndodhë ndonjë vetëvrasje që më pas të thonë: e ekzagjeruam. Jam shumë i zhgënjyer për mënyrën se ku po shkon bota.

Ju nuk e keni idenë se çfarë shkruajnë fansat e saj. Gjëra të pabesueshme, absurde, kërcënime me vdekje. Nuk më intereson asgjë, zero sepse janë të panjohur që nuk kanë një jetë të tyren, pse duhet t’u kushtoj vëmendje? Duhet t’u japim rëndësi gjërave me peshë dhe jo këtyre reagimeve. Mua nuk më intereson fare”.