VIDEO/ Milan fiton “antipastën”e Champions-it, Napoli tronditet nga kuqezinjtë

Napoli shkundet nga themelet duke marrë goditjen më të madhe të sezonit dhe këtë ia shkakton kundërshtari i çerekfinales së Champions League, Milani.

Në ndeshjen për llogari të kampionatit, Napoli-Milan nuk pati histori në stadiumin e tejmbushur “Maradona” ku vendasit e Spalletit pa Osimhen, synonin ta kthenin në festë me një fitore për të frikësuar kundërshtarin edhe në prag të sfidës Champions në 12 prill në Milano.

Fiton 4-0 dhe bind skuadra e Stefano Piolit që shënon dy herë me Rafael Leaon ndërsa Selemakers e Brahim Diaz shtuan nga një gol tjetër në “antipastën” perfekte që milanezët e shijuan në mënyrën më të mirë të mundshme duke i dhënë një sinjal të qartë Napolit në humbjen e tretë sezonale por i qetë me 16 pikë avantazh ndaj Lazios së vendit të dytë.

Në krahun tjetër, Milan parakalon Interin dhe Romën duke u ngjitur në vendin e tretë të klasifikimit me 4 pikë më pak se Lazio.