SPAK ankohet për zyrat, Dumani: Na rrezikohen provat, s'kemi kushtet e duhura në punë
Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit punojnë në ambjente të pamjaftueshme. Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit vjetor para KLP tha se shpesh provat rrezikohen nga qëndrimi i 6 personave në një zyrë. Ai paraqiti edhe një bilanc të punës sa i përket numrit të çështjeve të hetuara, ndjekjes penale dhe dërgimit në gjyq ndaj zyrtarëve dhe shtoi se vitin e fundit është rritur numri i përgjimeve të kryera nga SPAK.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, u ankua para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për pamjaftueshmërinë e ambjeteve ku punojnë hetuesit e kësaj strukture.
Sipas tij prokurorët nuk kanë zyra të përshtatshmë, ndërsa hetuesit qëndrojnë 6 veta në një zyrë, çka rrezikon edhe provat.
"Kemi një situatë alarmante se nuk kemi zyra për prokurorë, për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe hetuesit financiarë. Kemi laboratorë shumë të mirë por nuk kemi ambjente, kushtet nuk janë të mira dhe rrezikojmë të dëmtojmë edhe ndonjë prej provave dixhitale se gjendja është alarmante."
Gjatë raportimit para KLP-së për treguesit e punës së vitit 2022, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u përqendrua në mënyrë të posaçme në rezultatet e arritura në hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.
Raporti i paraqitur nga kreu i SPAK, evidentoi rritje të numrit të përgjimeve të realizuara nga Prokuroria gjatë vitit 2022.
Përballë anëtarëve që e votuan por edhe atyre që nuk e votuan për detyrën e re, Altin Dumani u tha një këshillë anëtarëve të KLP që të kenë vëmendjen e duhur në momentin kur do të zgjedhin edhe 3 prokurorët e rinj të SPAK.
"Do ju kërkoja të jeni të kujdesshëm, të vëmendshëm në kandidaturat që do të bëhen pjesë e SPAK."
Gjatë raportimit në Këshill, kreu i SPAK shoqërohej edhe nga ish-drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, dhe kolegët Adnan Xholi, Edvin Kondili dhe shefja e BKH-së Aida Hajnaj.
