Peticion për varret/ Banorët në Lushnje kundër varrezave të reja: S’mund të ndërtohen varre në një tokë argjile

Bashkia e Lushnjes po has në vështirësi për gjetjen e një hapësirë për të ndërtuar varrezat e reja, për shkak se toka e cila ishte përcaktuar për ndërtimin e varreve po zihet! Banorët e një zone ku janë planifikuar që të ndërtohen varret e reja kanë dalë me një peticion duke thënë se nuk mund të ndërtohen varre në një tokë e cila është argjilë!

Vendi i caktuar për varrezat publike të qytetit të Lushnjes janë pothuajse duke u ezauruar!

Pasi një plan për të zgjeruar parcelat tek varrezat e vjetra dështoj, bashkia mendoi se varret e reja të krijohen në një luginë në kodrat e Vivovës.

Por por përsëri bashkia po has në kundërshtime!

Banorët e fshatit Allprenaj, përmes një peticioni drejtuar institucioneve kryesore kërkojnë që aty të mos hapen varre për shkak se toka është argjilë!

“Duke qenë se ne jemi banorë të kësaj zone, dhe e njohim mirë këtë terren këtu, dhe ky terren është argjilë komplet. Mjafton të gërmosh vetëm një metër nën tokë dhe del argjilë”, tha një banor.

“Gjë që këtu nuk mund të bëhet varreza. Ja shikoni atë ujin aty dhe ky është me pak shi që ka rënë sot, por kur të bjerë shumë shi, atëherë çfarë do të bëhet?”, thotë një tjetër banor.

Nëse peticioni i tyre nuk do të merret parasysh, banorët paralajmëruan protesta për këtë vendim!

“Në qoftë se ata e vazhdojnë ne do ta përshkallëzojmë protestën dhe do ta bëjmë shumë të madhe”, u shprehën ata.

Bashkia e Lushnjës e cila drejtohet nga Eriselda Stafa nuk pranoj që të komentonte për media peticionin e banorëve dhe as vendimin për të ndërtuar në një tokë argjile varreza!