Eksperti tregon shkaqet e aksidenteve rrugore: Nëse femrat kanë eksperiencë në timon, më të sakta se meshkujt

Eksperti i sigurisë rrugore, Fadil Likaj, thotë se aksidentet në vend në raport me numrin e popullsisë, janë në rritje vitet e fundit krahasuar me Europën por dhe rajonin.

Poll

I ftuar në "Jeto me Orën" ai rendit disa nga shkaqet kryesore.

"Aksidenti ndodh si pasojë e bashkëveprimit të tre faktorëve, rruga, drejtuesi i mjetit dhe mjeti. Secili ka % e vet të ndodhjes së aksidenteve. Në 2022, 80.3% e aksidenteve kanë ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve. Duket qartë se drejtuesit e mjeteve në Shqipëri janë të papërgjegjshëm dhe lëvizin me shpejtësi tej normave të lejuara".

Shqetësim mbetet edhe përdorimi i celularëve gjatë drejtimit dhe mungesa e sinjalistikës vertikale.

"Përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të mjetit, rrugët jashtë standardit, mungon sinjalistika vertikale në shumë rrugë. Bashkëveprimi i mjetit me rrugën nuk është në kushtet e duhura dhe brenda standardit që duhet. Përdorimi i  celularit është në masë. Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen".

Nga ana tjetër kemi dhe përdorimin e lëndëve alkoolike dhe psikotrope nga drejtuesit.

Por më problem sheh parakalimet e gabuara dhe rritjen e shpejtësisë në mënyrë të çrregullt.

I pyetur se kush janë drejtues më të mirë mjetesh meshkujt apo femrat, ai përgjigjet:

"Gratë dhe vajzat që janë drejtues të rinj të mjeteve e kanë me shumë frikë. Ndoshta edhe sepse mund të mos e kenë marrë provimin në mënyrë të duhur. Ama, nëse një vajzë apo grua ka një eksperiencë në timon janë më të saktë se djemtë dhe burrat. Nuk abuzojnë me shpejtësinë dhe nuk ndërmarrin hapin për një parakalim të gabuar".