Fluturimi i vdekjes në Sauk, sociologia: I riu nuk i vuri dot fre impulsit për të mos i dhënë shpejt makinës
Sociologia Entela Binjaku sheh me shqetësim dorëzimin e të rinjve te impulset. Një situatë të tillë ajo e gjen edhe te i riu që fluturoi me makinë nga mbikalimi i Saukut, duke i marrë jetën vetes dhe dy vajzave që udhëtonin me të në mjet.
"Ky segment joshte të rinjtë, siç kanë pohuar banorët, për të bërë gara shpejtësie. Shpesh shohim të rinj që përfitojnë nga disa segmente rrugore dhe bien pre e impulseve të tyre të cilat i çojnë drejt rritjes së shpejtësië. I riu që shkaktoi aksidentin në këtë rast ka pikëlluar jo vetëm familjen e tij por edhe dy familje të tjera dhe mjaft të njohur të këtyre tre të rinjve që nuk janë më pikërisht se ai nuk mundi dot ti vërë fre impulsit të tij për ti dhënë makinës shpejt. Pse të rinjtë i japin shpejt makinës? Ka mjaft njerëz që udhëhiqen jo nga arsyeja dhe logjika por nga impulset. E lënë veten pre të impulseve dhe shkojnë pas pasioneve që nuk njohin asnjë arsyetim dhe logjikë".
Për Ora News ajo thotë se sheh me shqetësim edhe ekspozimin e luksit dhe paligjshmërisë në rrjetet sociale nga të rinjtë.
"Kategoria më shqetësuese janë këta të rinj që në rrjetet sociale tregojnë pasuri, guxim. Ka të rinj që publikojnë jo vetëm kilometrazh që është i frikshëm por edhe të rinj që dalin me armë, tregojnë si joshen nga përdorimi i substancave".
Për fat të keq, shpjegon ajo, duket se edhe shoqëria i preferon këto lloj natyrash që shfaqen të fortë dhe të sigurt.
Dhe më trishtuesja është se ata kthehen në një model dhe guidë për bashkëmoshatarët e tyre.
"Është shqetësuese se tregon të rinj që e gjejnë melhemi e jetës në përdorimin e substancave të ndaluara, tregon për të rinj që nuk e kanë frikë ligjin, të rinj që fillojnë dhe adhurohen nga të tjerët se nuk ndëshkohen dhe nuk u ndodh asgjë, përbëjnë një model për të tjerët që i shohin me adhurim. Rreziku është se bëhen model dhe guidë për të tjerët".
Dy institucionet kryesore të edukimit dhe formimit, familja dhe shkolla, duket se nuk po e kryejnë funksionin e tyre.
"Prindërit në shumicën e rasteve, kanë fare pak kohë të merren me fëmijën. Fëmija rritet dhe atyre u ka dalë nga shikimi. Kjo reflektohet dhe në sjelljen e tyre jashtë mureve të shtëpisë.Shkolla në këto 30 vite, nga viti në vit, në mënyrë graduale e ka neglizhuar aspektin edukues të individëve, investohet fare pak në edukimin e dashurisë për jetën, dashurisë për tjetrin, dashurisë për rregullat".
Fakti se rinia e sotme është kaq agresive për sociologen tregon se realiteti i tyre i brendshëm nuk është i paqtë.


