Spitali “Memorial” i Fierit, i pari me Kartën e Autonomisë Menaxheriale

Spitali memorial i Fierit është i pari që do të vetëmenaxhohet. Në pritje për të marrë këtë të drejtë janë edhe QSUT, Spitali i Shkodrës dhe ai i Durrësit.

Spitali memorial i Ferit është i pari që fiton autonominë menaxheriale.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se ky ndryshim synon të rrisë cilësinë e shërbimit shëndetësor për qytetarët dhe tu përgjigjet të gjitha ndryshimeve teknologjike.

"Sot jemi për të dhënë simbolikisht kartën e autonomisë menaxheriale, e cila përcakton fushë-veprimin bazuar në rregulloren e Autonomisë Spitalore të miratuar nga Këshilli i Ministrave, një kartë e cila përmban të gjithë elementët që decentralizohen dhe i kalojnë vetë spitalit administrimi i tij, duke filluar nga burimet njerëzore, administrimi, autonominë për të krijuar modalitete të reja në përzgjedhjen e stafeve, qoftë mjekësore qoftë jo-mjekësore në kuadër edhe të rritjes së performancës, të rritjes së aktivitetit. Është e rëndësishme që spitali të ketë atë zhdërvjelltësinë për t'iu përshtatur momentit".

Pas atij të Fierit, në pritje për të marrë autonominë menaxheriale janë edhe tre spitale të tjera publike.

"Në tre spitale të tjera të vendit, ekipe nga Turqia janë vendosur në QSUT, në Spitalin e Durrësit dhe në Spitalin e Shkodrës, ku janë atashuar personel administrativ, menaxherial dhe mjekësor. Ashtu sikurse ka ecur Memoriali, të ecin edhe spitalet e tjera në parapërgatitje për të përfituar Kartën e Autonomisë Menaxheriale dhe më pas për të vijuar me Autonominë Financiare, që do t’i hapë rrugën edhe të gjithë buxhetimit në bazë të aktivitetit spitalor".

Autonomia jep mundësinë spitaleve publike të kenë mekanizmat e duhur ligjor dhe rregullator për t’u vetëadministruar si nga pikëpamja menaxheriale ashtu edhe financiare.