“Pinoku”, përralla e rrëfyer ndryshe nga Endri Çela dhe e sjellë në teatër me mjeshtëri nga aktori Mateo Dervishaj
Katër aktorë dhe një muzikant komunikojnë drejtpërdrejtë me publikun duke u treguar se çfarë është teatri dhe si përdoret fantazia për të krijuar një shfaqje.
Prandaj ata zgjedhin përrallën e Pinokut dhe e rrëfejnë në mënyrën e tyre.
Ndryshojnë tekstin, ndryshojnë personazhet, përdorin objektet dhe kostumet që iu gjenden në skenë dhe rrëfejnë përrallën e Pinokut skenë pas skene në një atmosferë të improvizuar.
Pikërisht lidhur me këtë eksperiencë të ftuar ishin regjisori dhe autori i këtij teksti të ndryshuar të përrallës klasike Endri Çela dhe aktori Mateo Dervishaj të sjellë në skenën e Teatrit Eskperimetal.
“Është një përrallë e mirë dhe e shkruar dhe e përshtatur pikërisht për moshën me të cilën unë dua të flas. Dhe për ta bërë këtë mendoj se di të shkruaj mirë. E bukura e spektatorit të vogël qëndron në faktin se nuk të lë të zgjedhësh. Nëse ai ndërvepron me ty ai të ndjen dhe luan me ty”, tha Mateo Dervishaj.
“Është detyra e jona dhe e prindërit që t’i sjellin fëmijët në teatër. Është një punë e vështirë që ti t’ja servirësh dhe t’ua tërheqësh vëmendjen fëmijëve që vijnë ta shikojnë”, tha Endri.

Një përshkrim i shkurtër nga shfaqja
Pinoku i tyre modern, pasi krijohet nga dëshira e Xhepetos zemërmirit dhe Zanës Mandarinë të Dëshirave, niset për në shkollë për t’u bërë një fëmijë i ditur.
Por rrugës haset me të poshtrën, mashtruesen, dinaken 24 karat: Dhelprën. Sipas saj, shkolla është e dalë mode sot, sepse njerëzit duan famë, “shoëbiz” dhe “bloger”-llëk.
Pinoku i beson dhe i drejtohet cirkut që të bëhet i famshëm. Aty pritet nga Zjarrëhedhësi materialist, i cili e shfrytëzon për spektaklet e tij. Shumë shpejt Pinoku kupton që fama dhe paraja janë një kurth dhe një burg për njeriun.
Për fat të mirë, Zana Mandarin e Dëshirave e shpëton nga burgu dhe ai niset sërish për në shkollë.
Por, kësaj radhe, Dhelpra e devijon drejt qejfit dhe lojërave; drejt Ishullit të Lodrave, ku çdo gjë që është e ndaluar në këtë botë, atje është e lejueshme.
Pinoku shkon, luan dhe harbohet, por kupton që edhe kjo nuk e bën asgjë më shumë se sa një gomar. Ai ndërgjegjësohet dhe vendos të kthehet tek i ati. Mirëpo i ati është ngrënë nga balena. Pinoku shkon ta shpëtojë dhe arrin ta shpëtojë fal zgjuarsisë së tij.
Në fund të gjithë kësaj aventure, ai është treguar i mbarë, i drejtë, i sinqertë, i guximshëm, i dashur dhe aspak egoist, prandaj Zana Mandarin e Dëshirave e kthen Pinokun në një djalë të vërtetë.




