“Gjaku i martirëve të kombit”/ Luhet në Shkodër drama e klerit katolik, me aktorët e mëdhënj të skenës
Në Teatrin e Shkodrës, është ngjitur në skenë drama “Gjaku i martirëve të kombit”. Në këtë shfaqje që bëri bashkë disa nga aktorët e mëdhenj të skenës sollën personazhe që përfaqësojnë karakterin e qëndrestarëve, viktimave, por edhe të hetuesit e të gardianit dhunues gjatë sistemit të kaluar në të cilin vuajtë mijëra shqiptarë.
Martirizimi i kombit shqiptar gjatë diktaturës komuniste, sidomos i klerit katolik, që i dha Shqipërisë 38 martirë, u ngjit në skenën e teatrit “Migjeni” përmes dramës “Gjaku i martirëve të kombit”.
Bujar Asqeriu, “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”, në rolin e protagonisnit Padër Lazër, si edhe në rolet e malësorëve me aktorët e mirënjohur, si Gëzim Rudi, Marjana Kondi “Mjeshër i Madh”, Erjon Hinaj, Alba Shtëmbari, Lindar Kaja, sollën personazhe që përfaqësojnë karakterin e qëndrestarëve, viktimave, por edhe të hetuesit, të gardianit dhunues, të frikacakut, etj.
Ngjarjet e dramës zhvillohen në hetuesinë dhe burgun e qytetit të Shkodrës, djepin e qëndresës dhe të plagëve të popullit martir gjatë periudhës së errët të diktaturës.
Bujar Asqeriu, “Nderi i Kombit”: "Emocione të mëdha, sepse kuptohet vetëvetiu se në zemrën e çdo njeriu një copëz të asaj hitorie kërkon ta ballafaqojë me publikun për t’i treguar atij: Shikoni, shikoni o njerëz se c’i kanë punuar priftërinjve tanë, përfaqësuesve të Zotit”.
Asqeriu ka edhe një mesazh nga Shkodra që lidhet me teatrin, për ti ruajtur e mbrojtur këto pak tempuj që kanë mbetur në Shqipëri.
Bujar Asqeriu, “Nderi i Kombit”: "Janë tempuj të shenjtë që kurrsesi nuk duhet vënë dorë për t’i rrënuar, për t’i prishur”.
Drama paraqet dëshmi të gjallë dhe tronditëse për jetën njerëzore në periudhën më të errët diktatoriale të kombit shqiptar, duke kontribuar në mbajtjen gjallë të kujtesës kolektive, si dëshmi e krimeve kundër njerëzimit dhe dinjitetit njerëzor, si të vërteta të pamohueshme historike të popullit shqiptar, me të cilat brezat e ardhshëm duhet të edukohen dhe të bazojnë liritë e individit.
Drama “Gjaku i Martirëve të Kombit” erdhi nën mbështetjen e bashkise Shkodër.

