"Sali Berisha është kryetari real", Mustafaj: Mosregjistrimi i dorëheqjes, hile e Bashës për tu kthyer në krye të PD
Edhe pse dha dorëheqjen, Lulzim Basha vijon të jetë ligjërisht kryetar i PD duke qenë se dorëheqja e tij nuk u formalizuar në gjykatë.
Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i ftuar në Rtv Ora e sheh këtë veprim të Bashës si një hile për tu rikthyer sërish në krye të PD pa ju nënshtruar procedurave normale.
"Në rregull nuk është Lulzim Basha, i cili edhe ka bërë dorëheqjen publike, edhe nuk ka bërë regjistrimin formal të kësaj dorëheqje. Kjo tregon se ka një hile dhe qëllim nga ana e tij për tu rikthyer përsëri pa kaluar përmes procedurave normale. Ka lënë litarin jashtë për t'ju bërë dëm atyre që janë në punë".
Në mes tre pretendentëve, ai thotë se kryetar real i PD është Berisha.
"Kryetari real për mua është Sali Berisha. Ka një Kuvend dhe votim nominal për Sali Berishën. Unë jam një nga ata që kam votuar për Sali Berishën, masa e gjerë e anëtarëve njeh Sali Berishën si kryetar".
Alibeajn e sheh të avantazhuar te grupi parlamentar.
"Deputetë ka, ka një masë të konsiderueshme të grupit parlamentar me vete. Ai është një kryetar në detyrë jo i zgjedhur nga askush. Nuk ka pasur rast as vetë ti japë vetes votën. Struktura që drejtopn Alibeaj nuk funksionon si organizatë politike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Nuk mbledh strukturat se nuk ka kë të mbledhë".
Bashkimin e dy fraksioneve e sheh të pamundur dhe një 6 mars i dytë është i mundur sipas tij në disa prej bashkive.
"Po, por jo në të gjitha bashkitë. Sali Berisha ka deklaruar se Basha dhe Alibeaj nuk kanë më lidhje me PD. Janë të vetmit me të cilët PD nuk do të diskutojë bashkimin. Këmbëngulja e Alibeaj është e tillë që nuk e mundëson negociatën. Unë besoj shumë, nga komunikimi me demokratë të vjetër, që nuk pranojnë që PD të dalë me dy kandidatë dhe po shkojmë drejt kandidatit që ka shanse më shumë".
E ndërsa zgjedhjet janë afër, Alibeajn e sheh të limituar te burimet njerëzore.
"Në shumnicën e rasteve nuk do ti ketë. Duhen 800 e ca komisionerë. Që këtu dyshoj shumë. Dhe kur PD ka qenë e bashkuar kemi pasur vështirësi për të gjetur komisionerë seriozë dhe të përgjegjshëm".

Kush qëndron pas lëvizjes Basha-Alibeaj?
Nuk jam konspiracionist dhe as paranojak. Nuk ka rëndësi kush qëndron, rëndësi ka rezultati. Ky mulli ku çon ujë? Interesi politik më i madh që mund të ketë Edi Rama si kryetar i mazhorancës qeverisëse dhe pastaj kandidatët për kryetarë në bashkitë e vendit është që PD të paraqitet e përçarë. Po shikoja një statistikë të numrit të votuesve në zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashkitë, nëse do bashkoheshin të dyja fraksionet PS kishte vetëm 6000 votues më shumë, që është një numër krejtësisht i ndryshueshëm me një fushatë entuziaste, me një fushatë me kandidatë të mirë dhe frymë fitoreje. Ndarja përveçse është aritmetike, pengon edhe ndërtimin e një fryme fitoreje, mua kjo më shqetëson.
Zvarritja e gjyqit për vulën dhe logon e PD
3 orë punë ishte, mund ti gjente gjykata. Ishte një vedim i rëndësisë së veçantë. Gjykata e ka zvarritur kaq kohë sepse gjyqtarët në koshiencën e tyre kanë qenë të bindur se do të bëjnë një shkelje ligji dhe kanë ecur me idenë ta shtyjmë sa ta shtyjmë. Kjo frikë e tyre vjen pa asnjë diskutim nga presioni i qeverisë. Kemi parë disa raste që ka pasur tendenca të theksuara deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të SPAK ku Edi Rama donte kandidatin e tij. Kemi një fakt të rëndë i cili lidhet me një deklarim që i ka bërë Ministrja e Jashtme një ambasadori të një vendi tjetër ku i thotë se ne e dimë që vendimi do të jetë në favor të Alibeaj. Këto fakte, në dukje sporadike, bashkohen te bindja se qeveria e kontrollon gjyqësorin.
Prania e përfaqësuesve të Ambasadës amerikane në gjyqin për Vulën
Formalisht, sa kohë SHBA janë një nga sponsorët kryesorë të reformës në drejtësi dhe duke pasur parasysh ndjeshmërinë që kishte ky proces, prania e tyre nuk është ndonjë çudi e madhe. Por në interpretimin e përgjithshëm dhe të gjyqtarëve, prania e tyre ka qenë si një mesazh për të mbështetur Alibeaj.
Heshtja e Ambasadës amerikane dhe Yuri Kim pas skandalit "McGonigal"
Nuk shoh shpresë që ta hetojë SPAK. Çështja është në proces në SHBA. Në SHBA një çështje që është në proces ka një sovranitet të plotë dhe askush nuk mund të shprehet rreth saj. Heshtja e Ambasadës amerikane dhe Kim ka lidhje me këtë praktikë strikte në SHBA. A ju ka ardhur për shtat? Unë besoj se ju ka ardhur për shtat kjo heshtje.
Mocioni me debat në Kuvend, Rama mohoi përfshirjen
Dosja ka shumë akuza, ka vëmendje të madhe në Amerikë dhe kërkesa që vijnë nga burime shumë serioze që i kërkojnë drejtësisë amerikane ta gjykojë dhe kryeministrin dhe qeverinë shqiptare. Nuk e di deri ku janë marrë në konsideratë nga drejtësia amerikane. Po ka një pikë në aktakuzën për McGonigal ku vërtetohet se kryeministri i Shqipërisë ka ndërhyrë për të sabotuar apo përdorur institucionet e drejtësisë amerikane kundër opozitës shqiptare. Është e paprecedentë që një kryeministër të luftojë demokracinë e vendit të vet përmes korruptimit të një zyrtari të një shteti tjetër, qoftë ky SHBA.
DEA amerikane, thirrja për denoncimin e aferave të drogës
Administrata amerikane ka arritur në një konkluzion se është epidemike droga në Shqipëri. qoftë prodhimi, qoftë shpërndarja.Përmenden dhe paratë e pista. Kur bëhet epidemike, DEA ka nevojë dhe për aleancën me opinionin publik. Të njëjtën thirrje e gjen nga DEA dhe për Meksikën, Kolumbinë, Ekuadorin. Në momentin kur DEA konstaton se lufta kundër drogës nga institucionet shqiptare nuk ka rezultat apo nuk po tregon vullnet i kërkohet ndihma opinionit publik. Alarmi qëndron në faktin se pranohet nga DEA që Shqipëria është një vend prodhues dhe shpërndarës me peshë të madhe në trafikun e drogës.

