Nis trajnimi i policëve të “14 majit”, Rrumbullaku: Garantojmë zbatimin e ligjit në zgjedhje
Ekspertët e OSBE dhe Prokurorisë nisën trajnimin e efektivëve të policisë së Shtetit që do të angazhohen për zgjedhjet vendore të 14 majit. Drejtori u Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku garantoi forcat politike, agjensitë partnere dhe qytetarët, se uniformat blu do të jenë garantë të zbatimit të ligjit.
Gati tre muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, edhe Policia e Shtetit ka nisur përgatitjet me qëllim përmbushjen e plotë dhe efektive të detyrave funksionale para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.
Në ambientet e Akademisë së Sigurisë, filloi cikli i trajnimeve të efektivëve që do të angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Puna nisi me drejtuesit qëndrore e vendorë të Policisë së Shtetit, ndërsa të pranishëm ishin Ambasadori i OSBE dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, garantoi zbatimin e ligjit.
"Siguroj qytetarët, subjektet politike, agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët tanë se Policia e Shtetit do të zbatojë vetëm ligjin, ashtu siç ka vepruar në të gjitha proceset zgjedhore, veprime të cilat janë certifikuar nga OSBE-ODIHR".
Drejtori Rrumbullaku vlerësoi edhe rolin e vecnatë të prokurorisë gjatë dhe pas procesit zgjedhor, ndërsa falenderoi Ambasadorin e OSBE për mbështetjen e vazhdueshme që kjo organizatë i jep policisë së Shtetit.
Deri në muajin mars punonjësit e policisë do të informohen për aspektet ligjore, etike dhe disiplinore të procesit zgjedhor të 14 majit.
Trajnimet intensive do të realizohen nga ekspertë multidisiplinarë të OSBE-së, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
