"Shpërndarja e fondeve pas 31 marsit", Celibashi: Presim raportet e partive, nuk ka lidhje me vulën e PD-së

Në listat e votuesve për votimet e 14 majit janë përfshirë 3 milion e 653 mijë shqiptarë. Deri më tani janë regjistruar 21 parti politike, teksa duket se fraksionet në PD do të presin gjyqin e së premtes për të dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje.

Ky vendim do të saktësojë se cili nga emrat e kryetarëve do të shënohet në fletën e votimit, ai i Berishës apo i Bashës, ku njëri ka në dorë deri më tani vendimin e gjykatës së shkallës së parë e tjetri regjistrin e partive politike.

"Janë gjithsej 3 milionë e 653 mijë zgjedhës

Janë 21 bashki që nuk kanë sjellë asnjë informacion në lidhje me procesin e zgjedhjeve edhe pse u është kërkuar.

Kemi informacione dhe raporte vetëm nga 40 bashki

Deri tani kanë dorëzuar kërkesën për tu regjistruar në zgjedhje 21 parti.

Nuk ka lidhje fare me lidershipin e PD, por thjesht një qasje me rivlerësimet e fondet tona. Do të bëjmë një shpërndarje pas datës 31 mars. Ne po presim raportet e partive, pasi shpërndarja e fondeve nuk implikon vetëm një parti," tha ai.

Në komisionin qendror të zgjedhjeve nuk kanë munguar as ankesat, ku selia blu ka ankimuar përdorimin e aplikacionit Aktiv1sti të socialistëve, e për këtë kanë nisur edhe hetimet.

"Kemi marrë një kërkesë nga PD lidhur me aplikacionin Aktiv1st. Po shikojmë se çfarë implikon ky aplikacion," tha ai.

Për pjesëmarrjen e zyrtarëve dhe drejtuesve të pushtetit vendor, Ilirian Celibashi kërkoi që promovimi i punëve në bashki të bëhet pa përfaqësi politike.

Një tjetër apel kryekomisioneri dha për 21 bashki që nuk kanë raportuar informimin e zgjedhësve për qendrat e votimit.