Berisha: Rama, despot. Po bën ndërhyrjet armiqësore ndaj PD-së në gjykatë. E ka vendin në burg

"Rama po bën ndërhyrjet e fundit armiqësore ndaj PD-së në gjykatë, por i themi se faturën do e paguash vetëm ti". 

Kështu u shpreh kryetari i PD, Sali Berisha gjatë takimit me drejtues të degëve 3, 13, 16 në Tiranë. 

"Ne do t'i qëndrojmë atij. 3 marsi është një ditë e veçantë, një ditë që do të flasim fuqishëm, protestën tonë, revolucionin tonë. Kufomë politike e pakallur. Sot ai përbën rrezikun më të madh për këtë vend. Sot ai është i gatshëm të marrë çdo vendim me qëllimin e vetëm që të shpëtojë lëkurën e tij. Sepse ai e din, me korruptimin e McGonigal, thikën e tmerrshme që i futi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por së pari sigurisë së SHBA-së duke i rekrutuar me para kryezbuluesin, ai nuk mund të ketë më kurrë shpresë për të ardhme politike. Ai ka kryer një suicid politik.

Por do të bëjë gjithçka, do të marrë çdo vendim, do të mbajë çdo qëndrim në mënyrë që të mund të mbijetojë. Dhe ne i themi atij se ne do të mbajmë çdo qëndrim, do të marrim çdo qëndrim në mënyrë që të të shporrim njëherë e mirë nga skena politike. Nuk kufomë politike nuk mbahet kurrë në pushtet. Shoqëria dhe vendi duhet të shpëtojnë një minutë e më parë prej tij. Ai na fton ne për qëndrime, vendime për të cilat do të paguajë çmimin më të madh. Po bën ndërhyrjet e fundit armiqësore ndaj PD-së në gjykatë. Por unë i them, se absolutisht ndaj çdo vendimi tënd, faturën do e paguash vetëm ti si kryeministër, si krim-ministër, qeveria jote. Ne nuk shuhemi, ne jemi forcë politike e pamposhtur, ne e faktuam këtë", tha ai.

Berisha theksoio se historia Rama-McGonigal është historia më e turpshme, kriminale dhe një skandal që ne nuk duhet ta tolerojmë kurrë.

Kryedemokrati tha se Charles McGonigal e ka vendin në burg dhe pas tij duhet të shkojë edhe Edi Rama. 

"Pra në këtë mënyrë ne varfërohemi çdo herë e më shumë. Pasuritë publike shkojnë të gjitha për pasurimin e qeveritarëve të klientelës, apo oligarkëve të tyre. Edi Rama si asnjë kryeministër tjetër në histori, kontrakton vrasës me pagesë për opozitën shqiptare, për të vrarë një forcë politike, për të vrarë pluralizmin, demokracinë. Historia Rama-McGonigal, është historia më e turpshme, më kriminale, dhe ju garantoj unë ju se nuk besoj se mund të ketë komb tjetër në botë që mund ta toleronte një skandal të tillë dhe ne nuk duhet ta tolerojmë kurrë.

Nëse ne rrimë duarkryq para këtij skandali ne i bëjmë vetes dhe vendit, shërbimin më të keq. Por ne nuk do të rrimë duarkryq para këtij skandali. McGonigal e ka vendin në burg, atje ku është, Edi Rama pas tij. Edi Rama duhet të shkojnë pas tij. Jo vetëm paguan paratë dhe i angazhon kundër opozitës, por vazhdon bashkëpunimin me të në një kohë kur ai priste gjoba në Tiranë, gjobiste biznesmenë, përdorte pushtetin e SHBA-së, agjencisë së tij për të terrorizuar, marrë peng qytetarët shqiptarë. Me dy mafioz, lejtnantë të Ramës, Duçka dhe Neza, ata vendosën dhjetëra e dhjetëra gjoba. 

McGonigal  përcaktonte se kush do të merrte licencën e kush jo. Një akt i tillë është i papërshkruar në historinë e marrëdhnieve ndërkombëtare. Ne duhet të flasim, duhet ti japim përgjigjen e merituar Edi Ramës, përndryshe të këqijat që ai ka bërë do harrohen në krahasim me atë që do u bëjë Shqipërisë e shqiptarëve. Do duken lule këto në krahasim me të tjerët që do të bëjë. Nuk ka moral nuk ka asnjë normë, nuk ka ligj që njeh.

Po të studioni në politologji gjeni udhëheqës demokratikë që zgjidhen me zgjedhje të lira e ikin me zgjedhje. Gjeni diktatorë për të cilët zgjedhjet nuk ekzistojnë. Gjeni mbretër absolutë, por që kanë dekretuar ligje të cilat zbatohen në mënyrë absolute, sigurisht në interes të tij, por zbatohet ligji. 

Ky nuk ka ligj, nuk ka kushtetutë. Ky e thotë më mburrje se nuk e kam lexuar njëherë kushtetutën. Por çfarë i duhet kushtetuta atij, e cila është një mburojë për ju, ndaj dhe kapardiset në studio duke thënë se nuk e kam lexuar kushtetutën, shkelmon çdo ditë mbi të. Të tillë në histori quhen despot. Despotët nuk kanë as ligje, as rregulla, kanë vetëm vullnetin e tyre. Ky është Edi Rama. Shndërron Shqipërinë në një çiflig të familjes së tij dhe kjo e ka tërbuar këto ditë. Nuk kam dëshirë ti përmend as njeriu familjen, por absolutisht kur të jetë puna për interesat tuaja do të ja përmend gjithkujt që e përdor kundra jush. 

Po pse do të fitojë dhjetëra e dhjetëra tendera baxhanaku i tij, në një kohë me ligj ai nuk duhet të marrë pjesë në tendera në një kohë sa e ka baxhanakun kryeministër. A më keni dëgjuar ndonjëherë të them një fjalë për të në një kohë kur ai nuk ishte qeveritar, Edi Rama, por tani ai është kryeministër. Baxhanaku nuk mund të marrë pjesë në tendera. Baxhanaku është fitimtar më i sigurtë në Shqipëri i tenderave. 

Por Çuçi nga doli. Pse u vu Çuçi, Çuçin e vuri droga, është histori droge. Ka një thjeshtë vajzë të mrekullueshme, por problemi është se kompania e saj fiton gjithë tenderat. A shkon kjo? Po, po një grup arkitektësh fatlum se punon ajo aty, dhe pothuajse çdo tender të Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës e fiton ajo. Por Shqipëria nuk ka qenë kurrë kaq e hapur kjo vjedhje, pa mëshirë, gjithçka në funksion të tij.", u shpreh Berisha.