Tabaku: Kamuflazhi i luftës kundër lirisë së mediave përmes gjobave tatimore, sinjal i regjimeve autoritare
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me gjobitjen nga Drejtoria e Tatimeve për disa televizione perfshi dhe RTV Ora News.
Në rrjetet sociale Tabaku shtron disa pyetje, ndërsa pohon se nuk është e rastësishme që qeveria përmes drejtorisë së Tatimeve gjobit një media që ka qenë kritike ndaj saj.
Ajo shtoi mes të tjerash se kamuflazhi i luftës kundër lirisë së mediave përmes gjobave tatimore është sinjal i regjimeve autoritare.
"A është rastësi që qeveria e Shqipërisë përmes drejtorisë së tatimeve gjobit media që ka qenë kritike ndaj saj? A është rastësore që në një ekonomi ku 30% është informale qeveria angazhohet të gjobisë një media kritike me të?! Në Shqipërinë e renditur si pjesërisht e lirë nga Freedom House asgjë nuk duket rastësore.
Në një Shqipëri ku jane mbyllur dhe media kjo nuk është rastësore! Kamuflazhi i luftës kundër lirisë së mediave përmes gjobave tatimore është sinjal i regjimeve autoritare. Burrafortët në pushtet sa herë nuk kontrollojnë mediat i kërcënojnë, pastaj i gjobisin & në fund i godasin!", shprehet deputetja demokrate, Jorida Tabaku.


