Identifikohet turisti francez që u gjet i vdekur në bujtinën në Skrapar, si u zbulua se diçka nuk shkonte

Një turist me origjinë nga Franca u gjet i vdekur mbrëmjen e djeshme në një hotel në qytetin e Skraparit.

Turisti francez u gjet pa jetë në dhomën e një bujtine në fshatin Gjerbës,ku ishte akomoduar prej disa ditësh.

Burimet policore bëjnë me dije se viktima është identifikuar si Claus Federic,49-vjeç,nga qyteti Bourg-en Bresse. 

Mësohet se shtetasi francez kishte ardhur i vetëm dhe kishte 5-ditë i akomoduar në bujtinën e zonës malore të Gjerbësit, pasi ishte i apasionuar pas turizmit malor të aventurës. Pasi ishte kthyer nga shëtitja e përditshme, mësohet se Federic kishte drekuar në restorantin e hotelit dhe më pas kishte shkuar për të pushuar në dhomën e tij.

Rreth orës 19:00 pronari i bujtinës ishte shqetësuar që ai nuk kishte zbritur për të darkuar pasi ishte mjaft i përpiktë me orarin dhe për këtë arsye ai kishte trokitur disa herë në derë për ta thirrur të zbriste.

Por,duke parë se askush nuk përgjigjej, pronari i bujtinës ka shqyer derën dhe e ka gjetur pa shenja jete në krevat. Pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur menjëherë policia, e cila ka kryer edhe veprimet e para në vendngjarje, ku nga këqyrja paraprake në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune.

Sipas policisë, dyshohet se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe se shkak për vdekjen e papritur të turistit francez është bërë një arrest kardiak. Për shkak se viktima është shtetas i huaj,trupi i tij i pajetë është transportuar drejt Morgut të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, ku edhe do të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, që do të zbardh edhe shkaqet e vdekjes së tij të papritur.