Fasulja mbetet stok/ Fermerët në Maliq: Çmimi s’është i arsyeshëm. Nuk nxjerrim dot kostot e prodhimit
Fermerët në vendin tonë vijojnë të përballen me vështirësi. Në Maliq, prodhuesit e fasules thonë se prodhimi i tyre ka mbetur stok, pasi nuk ka treg. Ata që kanë arritur për ta shitur e kanë dhënë me çmimin minimal në të cilin as kostot nuk nxiren.
Prodhimi bujqësor vendas prej kohësh nuk gjen treg për t'u shitur dhe destinohet të mbetet stok.
Fasulja është një produkt tjetër që ka pasur luhatje të çmimit ku një pjesë e fermerëve e kanë të depozituar në magazina.
Vladimir Malaveci nga fshati Pendavinj të Maliqit prej vitesh është një nga fermerët i cili ka një sasi të konsiderueshme fasuleje pa e shitur.
Rrirja e impiteve bujqësore, naftës por edhe sigurimi i tokës dhe ujit ka rrirur koston e prodhimit. Por, sipas tij, tregtarët vendas e duan me çmim tepër të ulët.
“Unë kam 18 kuintalë për të shitur. Por sot për sot çmimi është zero, 3 mijë lekë kilogrami dhe më poshtë, por ka kosto të madhe prodhimi”, shprehet ai.
Diturie Hoxhaj është një pensioniste e cila ka arritur ta shesë fasulen por çmimi, sipas saj, në krahasim me kostot e shpenzuara thjesht ka bërë që të marrë paratë që ka investuar.
“Vetëm 6 kuintalë prodhuam, pasi nuk arritëm dot të nxjerrim as koston e prodhimit me dherat, me plehrat, farat e të gjitha gjërat, nuk e arrijmë dot kurrë sigurimin e kostove të prodhimit”, tha ajo.
Të vetmit tregëtarë sipas banorëve të Pëndavinjit janë ata nga Kosova të cilët shkojnë për tu marrë prodhimin. Adem Kryeziu shprehet se prodhimi shqiptar është cilësor.
“Janë produkte të mira dhe ia leverdis dhe ky çmim na ndihmon neve dhe na nxit që të vijmë më shumë në Shqipëri”, tha tregtari kosovar.
Rreth 1 vit më parë ky fshat u prek nga breshëri i cili i dëmtoi të mbjellat por askush nga instancat nuk u erdhi në ndihmë. E sikur mos mjaftonte kjo, prodhimet të cilat rezistuan sot qëndrojnë në magazina me shpresën për t’u shitur.



