Emigrantët mbajnë “gjallë” vendin: Shqipëria mori 1 mld euro transferta nga vendet e BE-së

Shqipëria mori 1 miliardë euro nga emigrantët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit gjatë vitit 2021 sipas shifrave të Eurostat. Kjo është shuma më e madhe e dërguar në vend që nga viti 2013, duke arritur në 6.7% të prodhimit të brendshëm bruto.

Emigrantët vazhdojnë të jenë kontribues kryesorë në të ardhurat e buxhetit të shtetit. Sipas Eurostat, gjatë vitit 2021, Shqipëria mori 1 miliard euro transferta nga vendet e Bashkimit Europian, që kryesisht janë para që emigrantët që jetojnë dhe punojnë në BE i dërgojnë në atdhe.

Kjo është shuma më e lartë në Europë në raport me madhësinë përkatëse të vendit, duke arritur në 6.7% të prodhimit të brendshëm bruto.

Viti 2021 ka shënuar nivelin më të lartë të transfertave që nga 2013-a, kur INSTAT raportonte të dhënat, duke reflektuar një rigjallërim të emigracionit, me të rinjtë që kanë shtuar dërgesat në vendin e tyre të origjinës.

Rritja e të ardhurave nga emigracioni lidhet edhe me faktin se vitet e fundit largimi i shqiptarëve ka shënuar rritje.

Të dhënat e mëparshme të Eurostat treguan se Italia është burimi kryesor i dërgesave të emigrantëve drejt Shqipërisë.

Ndërsa në vendin e dytë është Britania e Madhe që pasohet nga Gjermania dhe Greqia.

Peshë të rëndësishme në totalin e transfertave drejt Shqipërisë ka edhe Amerika e Veriut, kryesisht SHBA.

Sa i përket vendeve të rajonit, Mali i Zi merr 6.1% të PBB-së nga emigrantët, ndërsa mungojnë të dhënat për Kosovën.