Tjetër tender i dyshimtë i OST: I dha tenderin 957 mijë euro, kompanisë që kërkoi më shumë

Operatori i Sistemit të Transmetimit vazhdon të japë tendera duke cënuar garën e drejt. Në prokurimin me vlerë 957 mijë euro që kishte si objekt rikonstruksionin e shtyllave të tensionit të lartë, kompania që kishte kërkuar 83 mijë euro më pak është skualifikuar nga gara, ndërkohë që e vetmja kompani e mbetur në lojë, është shpallur fituese

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka shpenzuar rreth 950 mijë euro për rikonstruksionin e shtyllave metalike të linjave të tensionit të lartë. 

Për kontratën kanë shfaqur interes 2 kompani, 1 prej të cilave u përjashtua nga gara. E skualifikuar rezulton “Shpresa-AL” e cila kishte dhënë një ofertë më të lirë se kundërshtari por kriteret kanë bërë që të dalë nga gara duke lënë të vetëm bashkimin e operatorëve “EPES Group” dhe “A3 B”, të cilët kishin kërkuar sa 99% të fondit limit për të kryer punën për 1 vit.

Shpallja e fituesit nga ana e OST për këtë tender është cilësuar si jo i drejt edhe nga platforma Open Prokurment e cila e ka futur ne kategorin e flamurit të kuq me arsyetimin e skualifikimit të ofertës më të mirë.

Vetëm gjatë vitit të shkuar Operatori i Sistemit të Transmetimit ka kryer 55 tendera në total dhe 22 prej tyre janë dhënë duke cënuar konkurrencën, ndërsa vlera totale e tyre shkon në 32.2 milionë euro.