Rama vijon vizitën në Japoni, takon kreun e “Sumitomo Electric”: Objektiv, të hapen 1 mijë vende të reja pune

Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron ka vijuar me të tjera takime në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Japoni.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale foto nga takimi me drejtuesin e kompanisë të teknologjisë së lartë “Sumitomo Electric”.
Kreu i Ekzekutivit shprehet se kjo kompani ka 400 filiale në botë në elektronikë, infokomunikacion, mjedis, energji, si edhe 1200 punonjës në Shqipëri.
Kryeministri thekson se objektivi është të hapen edhe 1000 vende të reja pune.
"MIRËMËNGJES dhe me ditën e dytë të vizitës zyrtare në Japoni, që nisi me takimin me drejtuesin e kompanisë të teknologjisë së lartë “Sumitomo Electric”, me 400 filiale në botë në elektronikë, infokomunikacion, mjedis, energji, si edhe 1200 punonjës në Shqipëri, ku objektivi është të hapen edhe 1000 vende të reja pune, ju uroj një ditë të mbarë", shprehet kryeminstri Rama teksa publikon dhe pamjet nga takimi në rrjetet sociale.
Në ditën e parë të vizitën në Tokyo, Rama zhvilloi takime me Kryetarin e Kuvendit të Japonisë Hiroyuki Hosoda dhe grupin parlamentar të miqësisë Japoni-Shqipëri, me Kryetarin e Federatës Japoneze të Biznesit dhe një përfaqësi nga sektorë të ndryshëm ekonomikë si edhe me drejtues të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, ku diskutuan për një sërë projektesh me rëndësi.
Kryeministri Rama shoqërohet në këtë vizitë zyrtare nga ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

