Big Rom dhe Brozovic i japin fitoren Interit, kualifikimi vendoset në Porto (VIDEO)
Në fund e vendos ai, njeriu që po përjeton sezonin e manktheve, Romelu Lukaku. Inter triumfon 1-0 në “San Siro” ndaj Portos me golin e belgut që e nisi nga stoli por zhvilloi një ndeshje për t’u vendosur në kornizë bashkë me Onanan por edhe Marcelo Brozovic që me futjen në lojë 20 minuta nga fundi, i dha një marsh më shumë Interit në një ndeshje që dukej e bllokuar dhe shumë e vështirë për t’u zgjidhur me cilësi apo muskuj.
Portugezët e vendosën jo pak në vështirësi Interin teksa në pjesën e parë ishin më të rrezikshëm duke iu afruar më shmë golit ndërsa këtë fraksion Inter e mbylli me një rast të artë të Bastonit por që Diogo Costa i mohoi golin.
75 mijë të pranishmit në “San Siro” panë skuadrën e tyre të vertetë vetëm në pjesën e dytë me ndryshimin e krahëve por edhe me zëvendësimin e Dzekos nga Lukaku që i dha më shumë thellësi dhe rrezikshmëri sulmit.
Onana dhe Skriniar shpëtuan Interin nga një aksion që mund të kishte rezultuar fatal e më pas Brozovic në vendin e Mkhitaryan ishte “qershia mbi tortë” bashkë me daljen e Otavios me karton të kuq.
Inter luajti për 15 minuta me një lojtar më shumë dhe e shfrytëzoi avantazhin duke gjetur një gol jetik për fatet e kësaj përballjeje që do të jetë shumë e vështirë edhe në Portugali ku Porto do të ketë mbështetjen e tifozëve të saj. Kualifikimi mbetet i hapur.
