Kaso: Kuvendi nën komandën e Ramën, e kontrollon me mesazhe, do të kërkojmë masë ndaj Spiropalit
Në një intervistë për RTV Ora, Ivi Kaso sekretar për çështjet zgjedhore në PD, u shpreh se opozita ka depozituar 2 nisma me më shumë se 35 firma sikurse e do ligji, por mazhoranca e ka refuzuar.
Ai tha se drejtuesja e Kuvendit tashmë dhe vetë kuvendi funksionon me komandën e Edi Ramës me mesazhe, pa iu dridhur qerpiku së bashku me Ballën.
Ai shtoi se opozita ka bërë gati dokumentet që të mbahet nga kuvendi i njëjti standard që është mbajtur ndaj opozitës lidhur me gjuhën e përdorur në seancën plenare.
Kaso: Ne kemi depozituar më shumë se 35 firma në kuvend për 2 raste, por janë refuzuar me lloj-lloj pretekstesh dhe duke thënë hapur me komandën e Edi Ramës me mesazhe, pa iu dridhur qerpiku së bashku me Ballën. Ata thonë se çfarë do të pranojnë apo jo. Duhet ta heqim fasadën sikur kemi një kryetare kuvendi dhe një kuvend. Kanë hedhur në votim me forcën e kartonit diçka që e parashikon rregulloja dhe gjykata kushtetuese. Madje ne do t’i drejtohemi Kushtetueses për këtë shkelje flagrante, por nga ana tjetër debati do të zhvillohet aty.
Ne kemi bërë gati dokumentet që të mbahet nga kuvendi i njëjti standard që është kërkuar dhe kanë mbajtur ndaj opozitës me qëllim politik që ta shkëpusin debatin McGonigal. Është kërkuar me shkrim dhe do të depozitohet që të mbahet i njëjti qëndrim për deputetët e mazhorancës. Do të shohim nëse organet e mazhorancës do të mbajnë të njëjtin qëndrim ndaj personave të tillë që shqiptarët i kanë dhënë besimin.
