Berisha krerëve të Departamenteve të PD-së: Jemi në fushatë, qytetarët presin nga ju programet për ta
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në takimin me drejtuesit e departamenteve, u kujtoi këtyre të fundit se tashmë ka nisur fushata zgjedhore për zgjedhjet e 14 majit, ndërsa tha se qytetarët presin nga ju programet për ta.
"Jemi në fushatë elektorale, është e domosdoshme që ju të mblidheni si departamente dhe të diskutoni për programet elektorale të kandidatëve tanë. Ka një program të përgjithshëm të partisë dhe qeverisë së ardhshme, por qytetarët duan programin e tyre. Të zgjedhurit vendorë duhet të ju ofrojnë qytetarëve përgjigjet më të mira për problematikat e tyre, për kujdesin shëndetësor në qytet, transportin, shkollat, shërbimet, pastrimin.
Të gjitha këto problematika të cilat kryebashkiakët duhet të angazhohen me të gjithë potencialin e tyre për ti zgjidhur. Tregjet, çdo gjë që përfshin një bashki. Ne presim dhe e kemi shumë të nevojshme kontributin tuaj, idetë tuaja, projektin, platformën tuaj. Por kjo është një emergjencë sepse fushata ka filluar dhe do të ju lutesha që sipas fushave të mblidheni dhe të hartoni një program ku sipas qyteteve, sipas fushave, të ju vijmë në ndihmë kandidatëve tanë", deklaroi Berisha.
Ai tha se Erion Veliaj dhe Edi Rama kanë marrë me qira disa nga rrjetet në vend, përcaktojnë ata kush do të drejtojë.
"Nuk ka asgjë më të çmuar se zërin tuaj këtu. Zërin tuaj në media, kudo që ju jeni.
Zërin tuaj në rrjetet sociale. Ju ndiqni mediat. Kandidatët tanë nga mëngjesi në darkë në fushatë. Pse i paraqesin? Grimcat më të vogla, sikur këta nuk ekzistojnë, i fshehin. Dhe bën një veprim Erion Veliaj, ka hapësirë sa Edi Rama. Mediat janë këto që janë.
Disa prej tyre nuk mbajnë këtë qëndrim, por shumica janë të kontrolluara nga të dy këta në mënyrë mizore, më të egër.
Disa nga rrjetet janë marrë me qira nga Erion Veliaj dhe Edi Rama. Caktojnë ata se kush do të drejtojë këtë rrjet dhe atë rrjet. Çfarë na mbetet ne, na mbetet pena juaj, mendja juaj. Sa të keni hapësirë në media, por në rrjetet ju keni hapësirë, nuk keni pengesa, ndaj dhe opozita në kushtet tona duhet të përdorë mediat sociale më të fuqishme për të përcjellë të vërtetat tek qytetarët", deklaroi Berisha.
Po ashtu, kryedemokrati theksoi se afera "Rama-McGonigal" po mbulohet nga mediat e kapura.
"Marrim një shembull. Ka një muaj që ka shpërthyer njëra nga aferat më të mëdha të shekullit, afera Rama-McGonigal dhe publicitet në botë ka marrë më shumë se Deripaska-Gonigal. Në fund të fundit prapa Deripaskës qëndron Putini, një armik i vjetër i SHBA që kanë bërë dhe bëjnë përpjekje për ti rekrutuar njerëzit për interesa të tyre. Por kur e bën Shqipëria një akt të tillë, karakteri armiqësor i këtij akti bëhet shumë herë më i madh, sepse e bën një partner, një vend mik, pavarësisht se në një akt të tillë i fut një thikë në zemër, një thikë të tmerrshme në palcë marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo është e vërteta dhe kush? Një njeri që bërtiste prej 1 viti e gjysëm, etiketonte PD-në si antiamerikane, në një kohë kur ai kryente veprimet më antiamerikane që mund të ketë kryer kush pas luftës së Dytë Botërore në Europë.
Por cilat ishin mediat, një përpjekje e jashtëzakonshme se është në hetim, apo nuk është në hetim, pavarësisht se emri i tij është i shkrojtur në aktpadi 14 herë. Emri i tij i cituar qartësisht për veprime konkrete, që ka dhënë ryshfet, këshilltarët e tij aktor kryesor në këtë aferë. Angazhimi i tij për të shkatërruar opozitën. Tregu i turpshëm i black-listimeve në kryeqytetin e tij, që normalisht duhet të kishte kontroll, por nuk kishte kontroll se e kryesonte ky vetë. Pra, ndodhin të gjitha këto dhe prap po të dëgjosh mediat, qytetari shqiptar duhet të përqendrohet mirë sepse këtu ka një diktaturë, diktatura e relativizmit, fshehjes, zbehjes, e maskimit të të vërtetës", u shpreh Berisha.



