"14 maji"/ Meta: Duroni, edhe 80 ditë ka "Rilindja"! Fitojmë në bashkitë e Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta tha se “Rilindja do ndëshkohet në mënyrën më shembullore”, pasi siç tha ai është fytyra që korruptoi zyrtarin e FBI-së.

Nga Elbasani, Meta tha se protestat do të vazhdojnë, duke theksuar se fati i tyre tashmë dihet, sepse ato po zhvillohen mbi kauza.

“Tani fytyrën e krimit e kemi të qartë, nuk ka të bëjë me individë që rekruton rilindja, por ajo është vetë fytyra që korruptoi vetë zyrtarin e FBI-së.

Fati i protestave dihet, sepse fati i protestave është ngritur me fatin e akuzave, kauza është rivendosja e demokracisë, rivendosja e llogaridhënies dhe ndëshkimi i këtij krimi dhe korrupsioni që ka pushtuar botën për shkak të Rilindjes.

Keni parë ju shtypin britanik të flasë për malazezet, serbet apo maqedonasit. Është Shqipëria, Afganistani, Siria dhe vendet që s’kanë lidhje me Evropën. Ndaj do të ndëshkohet Rilindja në mënyrën më shembullore që vendi ynë mos jetë ky që është.

Shqipëria e para për korrupsion, deri aty sa arriti të korruptojë edhe drejtorin e FBI që të shkatërronte opozitën, të shkatërronte demokracinë.

Protesta dhe zgjedhje, zgjedhje dhe protesta kjo është një histori e përfunduar. Edhe 80 ditë janë mos u mërzisni”, tha Meta.

Po ashtu, Meta, shprehet i bindur tek fitorja e opozitës në zgjedhjet vendore të 14 majit në bashkitë e Elbasanit, Tiranës dhe Durrësit.

Sipas tij, opozita është garante e shprehjes së qytetarëve, teksa theksoi se PL dhe PD synojnë të kthejnë transparencën dhe llogaridhënien në bashkitë e vendit.

"PL do jetë garanci e rivendosjes së llogaridhënies dhe transparencës për çdo shërbim që ka bashkia ndaj qytetarëve pa kushte. Me përultësi. Shumë shpejt Elbasani do të jetë kampion në fushën e arsimit. Të mos jetë i pari për polarizim social, por të jetë i pari sa i përket zhvillimit ekonomik pasi i ka të gjitha mundësitë.

Ne si PL kemi bërë një marrëveshje me PD, do mbështesim kudo kandidatët e primareve. Ne e mbështesim në Elbasan dhe çdo bashki tjetër. Kandidatët janë tanët dhe opozitës kudo që janë. Marrëveshja jonë është e qartë, këshillat bashkiakë i takojnë qytetarëve. Do ketë seanca të posaçme ku do vijnë vetë qytetarët për të folur për problemet që kanë. Gjithçka është shumë e qartë dhe e ndershme. E para gjë që duam, është transparenca dhe llogaridhënia. Ky është misioni i këshilltarëve tanë që do e përmbushin me qytetari.

Pritshmëritë janë absolute për një fitore bindëse në Elbasan, Tiranë dhe Durrës. Për qarkun e Elbasanit, situata në të gjithë qarkun, e di shumë mirë si është. Bashkia e Elbasanit do i kthehet qytetarëve, edhe për Përrenjasin dhe bashkitë e tjera do fitohen nga opozita. Opozita është garante e shprehjes", theksoi kreu i PL-se, Ilir Meta.

Pyetje: Sa garanci keni që do mbrohet vota?

Meta: Elbasani do ishte kampion për keq, për vrasjet dhe krimin. Rendi e ka impaktin direkt tek çështja ekonomike. Kush ka merak se do ndodhë në 14 maj ajo që ka ndodhur më 25 prill, le ta presi. Ne nuk cënojmë asnjë. Historia e lojrave me zgjedhjet, ka mbaruar, ka përfunduar. E them me përgjegjësi të plotë si PL dhe si Ilir Meta.