Tentoi të korruptonte policin kufitar në Kakavijë me 50 euro, procedohet 31-vjeçari

Punonjësit e Policisë Kufitare Kakavijë, në vijim të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë konstatuar një rast tjetër të paligjshmërive në këtë fushë.

Një person ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë Kufitare, për të dalë nga vendi ynë, pasi kishte tejkaluar afatin e qëndrimit në zonën Schengen, ndërsa tashmë është proceduar penalisht.

“Shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje të RSh-së, i kanë kërkuar shtetasit A. Xh. 31 vjeç, pasaportën, me qëllim kryerjen e procedurës së regjistrimit. Shtetasi A. Xh. e ka dorëzuar pasaportën me një kartmonedhë 50 euro në brendësi të saj, me qëllim korruptimin e punonjësit të Policisë Kufitare, për ta lejuar këtë shtetas të kalojë kufirin, pasi kishte tejkaluar afatin e qëndrimit të ligjshëm në zonën Schengen.” – njofton policia.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Xh., 31 vjeç, banues në fshatin Gali, Berat, për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".