Ishte kthyer në "makthin" e banorëve, kapet në flagrancë duke vjedhur në një banesë 25-vjeçari
Drejtoria Vendore e Policisë Berat ka finalizuar mbrëmjen e sotme operacionin policor "The shadow of the night", duke prangosur në flagrancë një 25-vjeçar nga Berati, që ishte kthyer në "makthin" e banorëve të qytetit për shkak të vjedhjeve që kryente gjatë natës nëpër banesa.
I drejtuar nga shefi i krimeve në detyrë Ledjo Ferzaj,operacioni finalizoi jo vetëm prangosjen e Andrea Zerollarit por edhe dokumentimin e vjedhjes së katër banesave, të kryera dy netët e fundit.
Zerellari, i dënuar 3 herë më parë për vjedhje, u kap në flagrancë gjatë tentativës për shqyerjen e një dritareje në një banesë private në zonën e "Bregut të lumit".
Ai ishte prej disa ditësh nën vëzhgim nga policia, që kishte siguruar në rrugë operative.
Informacionin për vjedhjen që do të kryente 25-vjeçari mbrëmjen e sotme.
Në kuadër të këtij operacioni, policia ka arritur të dokumentojë autorësinë e tij në vjedhjen e 4 banesave në Berat gjatë dy netëve të fundit, ku ai ka vjedhur jo vetëm vlera monetare por edhe pajisje të ndryshme elektronike.
Burime policore bëjnë me dije se mekanizmi i përdorur nga 25-vjeçari për vjedhjen e banesave ishte hapja me kaçavidave e parvazeve duralumini të dritareve, nga ku ai hynte për të vjedhur gjatë natës.
Të njëjtat burime konfirmojnë se policia po punon edhe për zbardhjen e disa vjedhjeve të tjera banesash, ku për shkak të mekanizmit të përdorur për të hyrë brenda dyshohet se autor është Zerollari.

