Xhamitë mbledhin ndihma për Turqinë, besimtarët lutje për viktimat dhe të mbijetuarit
Falet namazi i xhumasë.
Është e premtja e dytë pas tërmeteve shkatërrimtare në Turqi.
Besimtarët myslimanë në xhaminë e Pazarit të Ri në Tiranë luten edhe për viktimat e të mbijetuarit e kësaj fatkeqësie natyrore.
Përveç lutjeve ka nisur edhe mbledhja e ndihmave.
"Tërmetet, përmbytjet janë sprova shumë të mëdha të cilat shkaktojnë dhimbje të ndryshme dhe ne e kemi detyrë fetare dhe njerëzore që ti gjendemi pranë këtyre njerëzve në këtë çast vështirësie. Kjo detyrë bëhet edhe më e madhe kur bëhet fjalë për popuj me të cilët ne ndajmë të njëjtat vlera dhe na janë gjendur pranë sidomos në tërmetin e vitit 2019".
Imami Erjol Haxhiu tregon se në këtë xhami janë të shumtë besimtarët që janë sensibilizuar me dhimbjen e popullit turk dhe atij sirian e kanë kontribuar me çfarë munden.

"Ka pasur shumë angazhim dhe interesim edhe nga besimtarët që frekuentojnë xhaminë por edhe nga qytetarët që banojnë rreth e rrotull xhamisë."
Ngjarjet në Turqi duket se i kanë afruar më tepër qytetarët me besimin.
"Këto ngjarje, sprova dhe vështirësi i bëjnë njerëzit më të ndjeshëm dhe më të dobët dhe ndjejnë më shumë nevojën për Zotin dhe si rrjedhojë bëhen më të rregullt në faljet dhe ritet e përditshme fetare."
Imami Erjol Haxhiu thotë se të tilla fatkeqësi duhet të na afrojnë edhe me njëri-tjetrin.
"Ta duam më shumë njëri-tjetrin, ti qëndrojmë më pranë njëri-tjetrit. Jeta është e shkurtër, njerëzit janë të vlefshëm."
