Katër në burg dhe dy në shtëpi/ GJKKO jep masën e sigurisë për zyrtarët e Dimalit, avokati: 6 veta në SPAK për një leje shfrytëzimi
Gjykata e Posaçme konfirmoi sot masat e sigurisë për 5 prej të arrestuarve në Dimal, ndërsa ndryshoi masën e sigurisë për njërin prej tyre.
Katër nga të arrestuarit janë zyrtarë të bashkisë.
Togat e zeza të GJKKO-së, lanë në arrest me burg, Altin Palin, Drejtor i Zyrës së Urbanistikës; Arben Guraj, Përgjegjës i Sektorit të Shërbimeve; Vait Koshi, administrator i një shoqërie tregtare dhe Arjan Demiraj, inxhinier pranë kompanisë.
Valentina Jançe, shefe e Urbanistikës mbetet në arrest shtëpie siç ishte përcaktuar një masë e tillë në mungesë, ndërsa ndryshon masa për Agim Çunin, Specialist i Emergjencave, nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Avokati Saimir Vishaj duke folur pas seancës gjyqësore për gazetarin e Ora News, Edison Vatnikaj, tha se është absurde që të paraqiten 6 veta në SPAK për një leje shfrytëzimi.
"Gjykata vendosi vazhdimin e paraburgimit për katër nga anëtarët e bashkisë Dimal të cilët kanë dhënë një leje shfrytëzimi për një çati. Për një leje shfrytëzimi në vijnë në SPAK 6 veta, nuk e di".
Zyrtarët e bashkisë Dimal dhe punonjësit e një firme private kishin ngritur një skemë abuzimi e përfitimesh nga korrupsioni.Funksionarët lokalë jepnin leje ndërtimi, por i detyronin qytetarët që për punimet të merrnin kompaninë e tyre të preferuar.
Për çdo leje ndërtimi ata u merrnin qytetarëve nga 2500 euro deri në 3 mijë euro.Pas hetimeve të SPAK 4 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë u vunë pranga me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Hetimet që çuan në pranga 4 zyrtarët dhe 2 punonjësit e kompanisë private nisën në vitin 2020.
Asokohë një qytetar që iu prish një biznes privat nga bashkia me pretendimin se do të ngrihej një lulishte, por në të njëjtin vend u ngrit një tjetër godinë, bëri kallëzim penal.
Punimet për lulishte nga ana e Bashkisë u provua se favorizonin personin tjetër me të cilin kallëzuesi pranon se ka pasur një konflikt pronësie.
