Fëmijë të dhunshëm/ 24 vepra penale nga adoleshentët për 6 muaj. Sociologët: Ndikimi nga rrjetet sociale

Sociologët japin alarmin për implikimin e moshave të reja në krime të dhunshme. Sipas statistikave zyrtare 24 vepra penale të ndodhura në gjysmën e parë të 2022, kanë për autorë adoleshentë nga 14 deri në 17 vjeç. Plagosja e rëndë është vepra më e shpeshtë ndërsa specialistët bëjnë përgjegjëse institucionet arsimore dhe familjen si dhe ndikimin e rrjeteve sociale.

Moshat e reja po implikohen gjithnjë e më shumë në krime të dhunshme. 24 vepra penale janë kryer nga persona 14 deri në 17 vjeç, gjysmën e parë të 2022.

Shkelja më e shpeshtë e ligjit nga kjo grupmoshë është plagosja e rëndë me dashje, pasi 12 episode të tilla janë regjistruar në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar.

Grupmosha 18-28 vjeç raportohet se ka kryer 185 vepra penale, nga të cilat 15 vrasje në tentative, 40 plagosje të rënda me dashje dhe 116 kanosje.

Sociologët thonë se mosha e autorëve të veprave penale po vjen duke u ulur. Entela Binjaku thotë se problemet vijnë që nga edukimi në familje dhe në shkollë, dhe ndikim të madhë kanë rrjetet sociale.

Entela Binjaku: “Ka filluar një ulje, këtë e raportojnë dhe vet mësuesit e ciklit të ulët dhe ata flasin për grupmoshat e vogla që janë të paqëndrueshëm, mosha 9-13 vjeç”.

Nisur nga videoja e publikuar në rrjetet sociale, ku një grup të rinjsh janë përfshirë në skena dhune, Binjaku thotë se promovimi i modeleve të gabuara ndikon negativisht.

Entela Binjaku: "Modele të rinjsh që janë më të respektuar nga ana e shoqërisë se shfaqen të dhunshëm, agresivë, ose potentë”.

Në shumë raste, personazhi i edukuar dhe i shkolluar i një grupi të caktuar shoqëror është ai që bullizohet nga pjesa tjetër.

Entela Binjaku:Një vajzë e edukuar, një djalë i edukuar, të tjerët e dobësojnë figurën e tyre, i vënë në lojë, i tallin”.

Agresiviteti dhe mungesa e përqëndrimit në shkollë apo në shoqëri, janë shenjat e para të cilat nuk duhet të neglizhohen.

Entela Binjaku: “Bëhen agresivë me të tjerët, fillojnë të lën orët e mësimit. Shoqërohen me një shok ose shoqe  më të rritur se vetja”.

Policimi në komunitet dhe shtimi i punonjësve socialë në shkolla, është një mënyrë e mirë për parandalim e rasteve të dhunës.