Shqipëria ura drejt Europës, emigrantë të paligjshëm në Durrës e Gjirokastër
Një 35 vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Durrës pasi u kap duke transportuar 8 emiugrantë ndërsa për tju shmangur policisë përplasi dhe 4 mjete të tjera.
Me finalizimin e operacionit policor të koduar "Pasojat”, u arrestua: B. P., 35 vjeç, banues në Mamurras.
"Në aksin rrugor “Plepa - Durrës”, i është bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues 35-vjeçarin, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë. Menjëherë, shërbimet kanë organizuar punën dhe kanë bërë ndalimin e shtetasit B. P., në automjetin e të cilit, u panë 8 emigrantë nga vendet e Lindjes, të cilët po transportoheshin, kundrejt parave, me qëllim kalimin ilegal, drejt vendeve të BE-së," njoftoi policia.
Ndërkohë në Gjirokastër policia shpalli në kërkim një 27 vjecar pasi ia mbathi kur policia e ndaloi për kontroll ku dhe iu gjetën 11 emigrantë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Road Guard 55”, shpallën në kërkim shtetasin L. L., 27 vjeç, banues në Shkodër.
"Në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, shtetasi L. L., duke drejtuar automjetin tip "Citroen", nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe në vendin e quajtur "Kthesa e Fosforit", Memaliaj, e ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 11 emigrantë nga vendet MENA, të cilët ky shtetas do t’i transportonte në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në automjet, u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale," njoftoi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.